Autobusët e rretheve nuk do të jenë më tek stacioni pranë rrethrrotullimit në Laprakë, ose ndryshe tek Dogana dhe as në stacionin përballë Pallatit të Sportit.
Duke filluar nga 12 janari, terminali i autobusëve të Jugut dhe të Veriut në Tiranë do të jetë tek “kthesa e Kamzës”. Autobusët e linjave të jugut dhe të veriut janë vendosur në këtë terminal të ri provizor. Sipas Bashkisë Tiranë, terminali i ri ofron më shumë vende qëndrimi për autobusët, ndërsa linjat e transportit urban do të kalojnë edhe tek terminali.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj shprehet se terminali i ri ka hapësirë më të madhe sesa dy stacionet e mëparshme të linjave ndërqytetase.
“Do të sistemojë 63 vend-poste dhe stacione për autobusët e veriut dhe jugut, ndërkohë që juglindja do të vazhdojë të shërbehet nga Qyteti “Studenti” dhe parkingu i madh atje. E jo vetëm kaq, por kemi edhe 4 linja autobusi urban që do kenë një stacion ngjitur me terminalin e autobusëve; pra, linja e ‘City Park’, e Kamzës, linja e Institutit dhe ‘Tirana e Re’, të katërta do të ndalojnë aty, për t’i çuar pasagjerët në drejtimin që duan në Tiranë, duke shmangur edhe kaosin që ndodhte tek ‘Shqiponja’”, u shpreh Veliaj.
Terminali i ri do të jenë në shërbim të 43 linjave të zonës së jugut dhe 20 linjave të zonës së veriut.