Dosja hetimore e zhdukjes së 1300 kontenierëve me lëndë kimike në Shqipëri tani është në dorën e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Burime nga institucioni i akuzës kanë bërë të ditur për SYRI.net se, Prokuroria e Durrësit e ka përcjellë dosjen për tek Krimet e Rënda.
Pas inicimit të hetimit nga prokuroria e qytetit bregdetar është vendosur që hetimi të bëhet nga prokurorët e Krimeve të Rënda, për shkak se po hetohet në dy zona njëkohësisht.
Verifikimet janë duke u bërë në Portin e Durrësit dhe në Doganën e Qafë Thanës, në vendin ku kanë hyrë kontenierët me lëndë kimike dhe ku duhej të dilnin, por që sipas medias italiane nuk kanë dalë asnjëherë.
Siç kanë shkruar mediat e shtetit fqinj, 1300 kontenierë me lëndë kimike ishin nisur për tu asgjësuar në një landfill në Shkup, por pasi kanë hyrë në portin e Durrësit, nuk kanë dalë më nga Shqipëria.
Kjo të paktën siç pretendojnë autoritetet maqedonase, sipas të cilëve 1300 kontenierët nuk e kanë kaluar doganën e Qafë Thanës për të shkuar në Shkup. Për këtë çështje, mediat italiane kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama si të përfshirë në këtë aferë kriminale dhe shumë të rëndë.
Hetimet kanë nisur edhe në Itali nga Drejtoria e Antimafias së Romës, si dhe në Shqipëri ku janë duke u verifikuar dokumentet për futjen në vend të kontenierëve dhe nëse kanë dalë nga Shqipëria apo jo.