Zgjedhjet vendore, Presidenti cakton datën 14 maj 2023

472
Një qytetar duke votuar në Bulqizë më 25 prill 2021. Foto: Bulqizaime.al

Zgjedhjet  e ardhshme vendore do të zhvillohen më 14 maj të vitit 2023. Kështu vendosi Presidenti Bajram Begaj, i cili dekretoi këtë hënë (24.10) datën e zhvillimit të tyre.

Presidenti thotë se e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për “përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare”, si dhe thekson se “është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare”.

Presidenti nxiti të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Gjithashtu, ai theksoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.

“Kreu i Shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirinformimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cenojnë votën dhe vullnetin e lirë. Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarinë dhe standardet më të mira demokratike”.