Me afrimin e zgjedhjeve, premtimet për përfundimin e Rrugës së Arbërit po intensifikohen. Kryeministri Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë deklaruar se tuneli i Murrizit, një nga pjesët më të rëndësishme të kësaj rruge, do të hapet në dhjetor 2024.
Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, afatet për përfundimin e punimeve janë shtyrë disa herë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar shpesh kontratën koncesionare për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, duke caktuar si afat të ri përfundimin e punimeve në pranverën e vitit 2025. Kryeministri Rama gjatë një deklarate në korrik të këtij viti u shpreh se përfundimi i tij mund të realizohet “nëse edhe fuqia e zotave të Dibrës do të na ndihmojë.” Ai gjithashtu ka theksuar se “rruga e Arbërit nuk do të jetë me pagesë.” Sipas Ramës, “nëse tuneli i Llogarasë filloi më pas dhe mbaroi më shpejt, kjo erdhi vetëm si rezultat i gjeologjisë.”
Ministrja Balluku, gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Peshkopi-Maqellarë, ka shprehur optimizëm për përfundimin e projektit, duke deklaruar se “ky dhjetor i vitit 2024, do të jetë edhe përfundimi tërsor i Rrugës së Arbërit, duke mbyllur tunelin e Murrizit.” Ajo shtoi se janë vetëm “400 metrat e fundit” të tunelit që duhen përfunduar dhe se pjesa tjetër e punimeve nuk përbën problem.
Sipas projektbuxhetit të vitit 2024, qeveria planifikon të paguajë mbi 3.5 miliardë lekë për koncesionin e Rrugës së Arbrit. Në total, kjo rrugë pritet të kushtojë 40.3 miliardë lekë, me pagesa që do të vazhdojnë deri në vitin 2031. Deri tani, qytetarët kanë kontribuar me 15 miliardë lekë, ndërsa kompania ndërtuese ende nuk ka arritur të dorëzojë projektin sipas kushteve të kontratës.