Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Dibra kalon në balotazh

999
Në të majtë Hekuran Duka, kandidat i BDI dhe djathtas, Bekim Pocesta, kandidati i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ka publikuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale për komunën e Dibrës.

Prej votave të përpunuara në gjithsej 27 vendvotime, kandidati i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, Bekim Pocesta prin me 49,69 për qind, respektivisht me 3,998 vota të fituara, ndërkaq i dyti renditet kandidati i BDI-së, Hekuran Duka me 46,15 për qind, respektivisht me 3,713 vota të fituara.

Numri i përgjithshëm i votuesve që morën pjesë në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Dibrës ishte 8.046 persona nga 19.211 persona me të drejtë vote.

Burimi: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Me një rezultat të tillë, asnjëri prej kandidatëve nuk ka siguruar mbi 50% të votave të nevojshme për të marrë mandatin dhe do të shkohet në balotazh pas afro dy javësh.

Gara për Komunën e Dibrës në Maqedoninë e Veriut është kthyer në “betejë mjekësh”. Hekuran Duka nga BDI kandidon për një mandat të dytë në krye të Komunës së Dibrës, ndërsa Bekim Pocesta nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për të marrë një mandat të parë. Komuna e Dibrës prej shumë vitesh drejtohet nga kryetar të dalë nga radhët e BDI-së.

“ Ju siguroj që do të përpiqemi dhe jemi në proces për të lexuar çdo votë të shprehur nga ju, dhe sigurisht në luftë me çdo parregullsi dhe devijim të vullnetit tuaj të lirë. Kjo garë u mbyll, ju siguroj që unë do të jem Kryetar i ardhshëm i Qytetit të Dibrës, sepse kjo ishte shpresa dhe dëshira e juaj e vetme. Nuk ka dhe nuk do të ketë raund të dytë, kjo mbetet vetëm dëshirë e atyre që si ide kanë korupsionin dhe vullnet keqperdorimin, por në është e nevojshme me dëshirë do t’ju falja edhe raund të 3 e të 4, sepse kjo do t’ju shërbente qytetarëve t’ju tregojnë atyre se numrat nuk e shprehin realitetin dhe diferencat janë dukshëm të qarta në parim, ide por edhe në Vota. “ shkruan Pocesta në llogarinë e tij të Facebook.

Maqedonia e Veriut ka të regjistruar rreth 1 milion e 825 mijë votues dhe kjo shifër e lartë ka vite që ka ngritur dilema te një pjesë e subjekteve politike dhe faktorë të tjerë.

Shqiptarët do të drejtojnë komunat e Tetovës, Gostivarit, Strugës, Kërçovës, të Çairit dhe Sarajit në Shkup, Dibrës së Madhe, komunat e Likovës e të Haraçinës në veri të vendit dhe disa komuna të tjera më të vogla rurale.

Në Dibër ka përfunduar edhe numërimi i votave edhe për anëtarët e këshillit komunal. Sipas informacioneve të Portalit InfoShqip.com, koalicioni ASH-AAA ka marrë 5 këshilltarë, BDI ka arritur të marrë 6 këshilltarë, LSDM 2 dhe VMRO 2.

Bazuar në emrat e shfaqura në lista, këto janë anëtarët e këshillit komunal në 4 vitet e ardhëshme:

Bashkimi Demokratik për Integrim:

1. FUAT SPAHIU
2. BASHKIM MASHKULLi
3. EDLIRA LATA 
4. FATJON DEMA 
5. ARBËRESHA TURKESHI 
6. ERMOND MARKE 

Aleanca për Shqiptarët – Alternativa:

1. XHEMAIL ÇUPI 
2. SHKELQIM XHAFA 
3. BLETA SELA 
4. LUMI CROJ 
5. ARBEN AGOLLI 

VMRO-DPMNE:

1. ASIP PERVIZOSKI 
2. EMIRA ARIFOVSKA 

LSDM:

1. ZEQIR DEMOSKI 
2. SHKLZEN ÇANKA