Zalli i Bulqizës, përveç ndotjes së madhe që ka nga mbetjet urbane, tani është kthyer edhe në një vend hedhje për kafshët e ngordhura.
Sipas raportimeve të Mat Tv nuk dihet se pse dhe kush i ka hedhur këto kafshë, por që kjo shkakton një ndotje të ujit dhe në të gjithë zonën ndihet erë e keqe.
Pikërisht një rast i tillë është evidentuar në Urën e Qytetit, si një nga monumentet historike më të rëndësishme të zonës së Bulqizës, ku është hedhur një lopë e ngordhur.
Sipas ekspertëve të fushës, kafshët e ngordhura mund të kthehen në një rrezik për shpërthimin e sëmundjeve infektive, sidomos me ngrohjen e motit. Ujrat e Zallit të Bulqizës përdoren edhe për vaditjen e tokave nga disa fshatra.
Për ndotjen e Zallit të Bulqizës, mediat e kanë ngritur disa herë si shqetësim, por nuk ka patur ndërhyrje. Përveç kafshëve të ngordhura në Zallin e Bulqizës hidhen edhe mbetje urbane, lëndë kimike dhe lubrifikantë që përdoren nga serviset e makinave.
/bulqizaime.al/