Voto kur të jesh i sigurt

575
Në foto: Ermir Balla, student, dega Fizioterapi, Universiteti i Mjekësisë Tiranë

*Nga Ermir Balla

“Voto, zëri yt duhet të dëgjohet”. Kjo thirrje, shprehje, moto apo urdhër i zbutur, gjoja me idenë për të sensibilizuar popullin në fakt në dukje është si ato motot globale të tipit “Stop Sida”, “Dhuro gjak, shpëto një jetë”, “Ndal drogës” dhe fraza të tjera të ngjashme.

Kudo në këto ditë zgjedhjesh në portale të ndryshme, në televizione apo dhe në account-e personale në rrjetet sociale, kjo “thirrje” është bërë e ditës, a thua po i’u ndriçon rrugën atyre që për arsye të ndryshme kanë zgjedhur të mos votojnë. Ajo që dihet është se pjesa më e rëndësishme në një “thirrje” është qëllimi i saj, duke u nisur nga ky fakt, fare thjesht nga motot globale të lartpërmendura mund të nxjerrësh qëllime të provuara si të arrira dhe të sigurta në vlefshmërinë e tyre.

Po qëllimi i motos së ketyre ditëve zgjedhore të cituara në fillim?

Në dukje, qëllimi shihet në vetë fjalët e motos, d.m.th në mënyrë sipërfaqësore kupton se me votë ti mund të japësh mendim, pra arrin një qëllim.

Natyrshëm lindin pyetjet:

Sa i vlefshëm është ky qëllim? A ja vlen të votosh kur të gjitha alternativat janë të provuara si të gabuara? A s’do ishte më i duhur mesazhi qe përcillet nga të mosvotuarit? Sepse duke votuar pa qenë i/e bindur për asnjërën palë, ti me votën tënde përcjell një mesazh të gabuar që merret si i mirëqenë. Është pak a shumë si ai provimi me me alternativa me penalizim; n.q.s qarkon të gabuarën duke i’a futur kot, ndëshkohesh me ulje pikësh. Madje është kaq cinike kur e dëgjon këtë shprehje nga goja e krerëve të partive në vend, të cilët deri dje, por dhe sot blenin vota në mënyrë po kaq cinike.

Ka pasur boll raste ku të dërguarit demokratë u ofronin para socialistëve të deklaruar (apo dhe anasjelltas) dhe pasi u blinin votat, j’u jepnin paratë, j’u merrnin dhe “be-në” nuk mjaftoheshin me kaq. Duke ditur se vota është e fshehtë dhe duke menduar se ata nuk do e ‘tradhëtonin’ partinë e tyre për një “grusht ” lekë, j’u merrnin edhe kartat e ID-së ,për t’u siguruar dhe për t’u hequr mundësinë për të votuar. Kjo po që është paradoksale me “thirrjen” e cituar në hyrje. Pse të tregohemi gënjeshtarë me veten?

Ju mendoni se kreu i LSI-së p.sh beson më shumë në thirrjen: ” Voto, zëri yt duhet të dëgjohet” sesa në thirrjen : “Voto LSI-në ose mos voto fare”. Të njëjtën gjë do bënte dhe ai tjetri, edhe ky tjetri. Por dhe njerëzit e thjeshtë, të papolitizuar që e përdorin këtë moto si asnjanëse duhet të kuptojnë se zëri i tyre nuk është më i fuqishëm sesa i atyre që kanë zgjedhur të mos votojnë, në kuptimin që, në thelb duke mos votuar mund të përcillet një mesazh shumë më real: Mosbesimi tek asnjë forcë politike ekzistuese.

Të gjitha këto polemika do të zgjidheshin fare lehtë nëse do të kishte në fletëvotime dhe një alternativë me emrin ASNJËRI . Besoj se kjo alternativë do i kishte bërë 71 mandate pa bërë fushatë fare. Unë nuk mund ti them njeriu të mos votojë, sepse është zgjedhje personale, por mendoj se nuk duhet kurrsesi të nxiten të votojnë njerëz që ndajnë mendimin për alternativën ASNJËRI dhe që kanë zgjedhur të mos votojnë për shkak të mungesës së kësaj alternative. Vendimet e pamenduara mirë janë shumë më të rrezikshme në pasoja se sa mos marrja fare e tyre.