Policia ka vënë në pranga drejtorin e degës së Postës Shqiptare në Dibër, Ilir Vaniçi, drejtorin e zyrës së shërbimeve të marketingut, Xhevdet Doda ndërsa është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tyre Gazmir Hasi, ish-punonjës i shërbimit postar. Këta persona akuzohen se kanë kryer në bashkëpunim vjedhje të pensioneve dhe ndihmave ekonomike duke falsifikuar firmat e qytetarëve.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare. Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit Gazmir Hasi, 33 vjeç banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve. Shuma e vjedhur kap shifrën e 6 milion lekëve të rinj.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër. Zyrtarët e arrestuar të postës akuzohen për “Shpërdorim detyre” – hetimet po drejtohen nga prokurorja Xhoana Mehmetaj.
Kryeministri Edi Rama i quajti “grabitqarë” zyrtarët e postës që janë arrestuar në Dibër, akuzuar për vjedhje të pensioneve.
“E si mund të pranojë kryetari i bashkisë të dëgjojë që posta në x apo y vend të luajë me pensionet. Së shpejti pensionet nuk do të jenë më ‘kesh’. Kush do i mbrojë pensionistët nga disa grabitqarë që meritojnë të jenë në një vend dhe jo në zyrat e postës”, u shpreh Rama gjatë një takimi me kryebashkiakët e vendit në Pogradec.
Skandali u zbulua fillimisht nga emisioni “Fiks Fare” në Top Channel, pas denoncimit të qytetarëve në muajin qershor të cilët nuk kishin marr pensionet e muajit maj.
Shumën duhet ta shpërndante punonjësi Gazmir Hysi, por sipas tyre ai ishte zhdukur. Disa pohuan se kishte blerë shtëpi në Tiranë me lekët e pensionistëve, ndërkohë të tjerë pohojnë se ka ikur në Dubai.
I pyetur nga gazetarët e emisionit “Fiks Fare”, drejtori i postës, Ilir Vraniçi deklaronte se 33-vjeçari kishte pas disa probleme financiare, por nuk bëhet fjalë për përvetësim, vetëm vonesa dhe se pensionet do t’i shpërndajnë.
“Të thashë ka probleme financiare, a më kupton dhe është e vërtetë që ka blerë shtëpi në Tiranë, po jo me lekët e kësaj, se shtëpia në Tiranë bën 50 milionë. Ai s’ka marrë 50 milionë! Por, më fal, ka përdorur pak nga këto (lekët e pensioneve) dhe pret të marrë kredinë ditën e hënë a të martë, ta rregullojë” i thotë ai, ndërsa në fund “tani më shqip s’di ç’të them. Punonjësi Gazmir Hasi ka tërhequr 11.4 milionë lekë të reja pensione dhe 5.7 milionë lekë ndihmë sociale për muajin maj 2022. Ka filluar t’i shpërndajë. Kemi pasur probleme me vonesa”, deklaronte Vraniçi.
E gjitha parregullsia sipas veprimeve hetimore të kryera dyshohet se ka ndodhur në periudhën janar-maj të këtij viti.