Fejton
Dhe një zë që thërret: “Kryeministri që do të realizojë ndërtimin e Skavicës do të mbetet në historinë e Shqipërisë”
Edi Rama e mbyt Dibrën pa ju dridhë dora.
Sigurisht në se në Dibër nuk ka mbet asnjë dibran.
Vjosa, bëhet e ditur sot, se u shpall Park Kombëtar, lumë që mbrohet jo vetëm nga shteti por edhe nga bota.
Si dashamirës i natyrës në çdo pëllëmbë të hapësirës mbarëshqiptare u përcjell respektin tim përmetarëve, tepelenasve, fierakëve, vlonjatëve…, për betejën dhe fitoren e tyre. Ata arritën që të shkulin nga themelet e ferro betonta, që tash më se dy dekada herë ngrihet një metër e herë ulen dy metra, hidrocentralin e Kalivaçit, dështimin katastrofë të kryeministrave të këtyre tre dekadave.
Dy dekada betejë publike, me zëra ndërkombëtarë, me vikama, sa buçima e presidentit të republikës kapi “qiellin e shtatë”
Sikur të ndodhte kështu edhe me Drinin e Zi, me atë që pas mbytjes nga dy liqene të anën tjetër të kufirit shqiptaro-shqiptar, do të kishte edhe Dibra lumin e vet të egër. Dhe jo vetëm Dibra por edhe Shqipëria, edhe Ballkani, edhe Evropa.
Në Skavicë, fshat i Kukësit, në atë ngushticë që duket sikur takohen majat e maleve, ku Drini i Zi e ndjen veten më ngushtë se kurrë, një grup dibranësh që nga hurdha e re mbi Drin u mbytet e kaluara, e ardhmja, historia, gjeografia, pasuria, varret e trimave që e mbrojtën si në asnjë trevë tjetër në beteja epike, Dibrën, duke u thënë ndal turqve osmanlinj me kordhëtarin e madh Gjergjin e Gjon Dibranit në krye dhe duke tharë përgjithnjë ëndrrën serbe për të dalë në Drin e për të marshuar për ta prerë për brezi Shqipërinë me krismën-top të Eles Isufit… shkuan të mësojnë ecurinë e punimeve për ndërtimin e digës së Skavicës, digë e marrë përsipër nga një kompani amerikane private, me bekim zyrtar shtetëror të ministres Balluku e cila vuri në plan të parë mbrojtjen e Shkodrës nga përmbytja dhe bekim diplomatik të ambasadores së SHBA në Tiranë Juri Kim.
Grupin nuk e lanë të afrohej atje ku punohej, atje ku gërmohej, atje ku Drini devijohej.
Sekret i madh në natyrë të virgjër…
Ata, një nga një e thanë fjalën, argumentin dhe protestën e tyre në mbrojtje të vatrave familjare e të vatrës së madhe – Dibrës mbarë.
I përcolli me zë e figurë televizioni privat Tv. Dibra News i Islam Shehut.
Kaq.
Televizionet e portalet kombëtare shqiptare që nuk lënë lajm divorcesh pa përcjellë me zë, figurë e studio analistësh, nuk dhanë asgjë.
Po përgatitet mbytja e një treve të lashtë, asgjësimi i saj përgjithmonë dhe media shqiptar hesht. Asnjë zë nuk qarkullon se ku do të shkojnë ato dhjetëra mijëra dibranë që mbeten pa plëng e pa shtëpi. Askush nuk flet se sa do të shpërblehen pronarët për çdo metër katrorë të mbytur, për çdo shtëpi të zhytur.
Askush. As ministria e financave, as ministria e bujqësisë, as kryeministri, as presidenti, as kryeparlamentarja, as bashkia. ASKUSH.
Ndërkohë që po i vija pikën e fundit, një zë kalon Atlantikun e ndalet e nja beh në “Dritarja Xhunga” e vikat: “Kryeministri që do të realizojë ndërtimin e Skavicës do të mbetet në historinë e Shqipërisë”.
Dhe e kishte seriozisht me argumentin se si asistent i tij këtë e ka dëgjuar ta thotë “profesor Petrit Radovicka” (!).
Dhe menjëherë i vjen në ndihmë një komentator pa identitet “raul” me një thagmë që se mban asnjë kandar…
“Kryeministri legjendar i Shqipërisë për 27 vjet Mehmet Shehu kishte në tavolinë planin dhe projektin e Skavicës me firmën e prof. Dr. Petrit Radovicka, legjenda dhe krenaria e hidroenergjetikes shqiptare dhe e Universitetit Politeknik të Tiranës. Po të mos ishte vrarë Mehmet Shehu sot Shqipëria do të krenohej me veprën energjetike më të madhe në Ballkan (!), Skavicën, dhe Shqipëria do të ishte e garantuar deri në vitin 2100 me energji elektrike, bile edhe Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe ndofta edhe Greqia (!)”.
“Skavica nuk do të bëhet, komenton “DREJTËSIA”. Nuk shuhet Dibra e dibranët, pa le se ç’thonë ata që se njohin historinë e Dibrës.
E vërtetë është se kryeministri që do të realizojë Skavicën do të mbahet mend në histori, por si kryeministër jo njerëzor.
Nuk rrihet Dibra me kamxhik zoti kryeministër. Dibra i ka rrënjët thellë në histori dhe do të mbetet historikisht Dibra heroike.
Nuk zhduket për kollaj ore jo.”
Mehmet Shehu njihet në Dibër si krimineli më i madh i saj, njeriu që shkrumboi deri edhe pulat në kotec në Fushë Alie e që tërë kohën nga gjuha e tij vetëm urrejtje për Dibrën dilte. Ai e mbyste Dibrën me dëshirën dhe egërsinë që e karakterizonte.
Sigurisht po ta kishte në dorë.
Edi Rama në këto dekada në pushtet ka treguar se din të shkulë, din të mbysë. Ai e mbyt Dibrën pa ju dridhë dora.
Sigurisht në se në Dibër nuk ka mbet asnjë dibran.