Autor: Sami Curri | Citizens Channel
Njëra ndër familjet që jeton në kushte ekstreme të varfërisë në Gjoricë të Bulqizës është ajo e Adil Koxhës, që së bashku me bashkëshorten dhe 5 fëmijët jetojnë në një shtëpi prej qerpiçi balte dhe shumë të shkatërruar. Të ardhurat për familjen Koxha, janë vetëm ndihma ekonomike edhe ato pakë ditë që mund të punoj kryefamiljari nëpër fshat, të ardhura që nuk kalojnë më shumë se 200 lekë për ditë pune.
Kjo gjendje në të cilën ndodhet familja Koxha është bërë disa herë problem në organet vendore dhe ato qëndrore, por që deri më sot, asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje. Banorët që jetojnë në afërsi të tyre shprehen se vetëm Zoti i ka ruajtur që nuk kanë marrë ndonjë sëmundje apo të ftohur në të tillë kushte që jetojnë ata.
“Ju e shikoni vetë se si jetojnë. Nuk kanë se çfarë hajnë, në shkollë një herë shkojnë e një herë jo se nuk kanë rroba me se te veshen. Jami munduar ti ndihmojmë me aq sa kemi pasur mundësi, por edhe ne nuk kemi se çfarë bëjmë”, shprehet për Citizens Channel, Kadri Koxha i afërmi i familjes.
Njëri prej fëmijëve, kishte probleme shëndetësore, por që e zonja e shtëpisë na tregon se nuk ka mundësi financiare për ta dërguar në spital dhe për të marrë mjekimet e nevojshme.
E zonja e shtëpisë, Sulbije Koxha, fjalë pak dhe me vuajtjen që i reflektohet në fytyrë na tregon se çfarë bie jashtë futet edhe brenda në shtëpi. Kjo për shkak se nuk e kanë mundësinë financiare që të investojnë dhe ta rregullojnë. “Kanë ardhur disa herë nga qeveria dhe këto shoqatat me shpresën se do ta rregullojnë, por deri më sot asgjë” – na tregon e zonja e shtëpisë.
Përballë shtëpisë në prag rrënimi të Adilit është edhe pusi, ujin e të cilën e përdorin si për të larë, pirë dhe gatuar. Komshinjtë e familjes Koxha tregojnë se uji i pusit nuk duhet pirë për shkak se është i rrethuar nga shtëpitë e banimit rreth e rrotull dhe është shumë i ndotur. Por e zonja e shtëpisë shprehet se nuk kanë ku ta marrin ujin dhe detyrohen të përdorin atë të pusit edhe për të pirë edhe për të gatuar. “Nuk kemi se çfarë bëjmë, ku ta marrim ujin, duhet lekë për të shtrirë tubacionin e për ta marrë tek linja ku furnizohet fshati e në të tillë kushte përdorim këtë të pusit” – shprehet Sulbije Koxha për Citizens Channel.
Por ky pus është një rrezik edhe për fëmijët, pasi është i hapur dhe është një rrezik serioz dhe mund të bien brenda.
Gjorica në bashkinë e Bulqizës, është një ndër zonat që ka numrin më të madh të familjeve që kanë probleme të shumta sociale, si përsa i përket strehimit gjithashtu edhe problemeve financiare.