Policia e Lezhës njoftoi të mërkurën se kishte arrestuar dy persona të dyshuar se po trafikonin lëndë plasëse nga Miloti drejt Shkodrës.
“Sekuestrohen 30 kallëpe me lëndë eksplozive C-4, 17 kapsolla detonatore, 2 aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrik, gati për t’u montuar me mina me telekomandë, dhe një automjet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet se policia ka arrestuar Agron Manukën, 42 vjeç, banues në Durrës dhe Imer Loshën, 46 vjeç banues në Dibër. Dy personat u ndaluan nga policia në rrugën e vjetër Milot-Lezhë, ndërsa po udhëtonin drejt Shkodrës.
Policia thotë se kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjen e eksplozivit në drejtim të Shkodrës, ndaj i ka mbajtur personat e dyshuar për disa ditë nën vëzhgim. “Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas që po qarkullonin me mjet nga Miloti në drejtim të Shkodrës, dyshohej se po transportonin lëndë eksplozive, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Pllana”, thuhet në komunikimin e policisë.
Shpërthimet me mina në distancë dhe vendosja e sasive të eksplozivit është kthyer në trend vitet e fundit për realizimin e atentateve. Nga operacionet e policisë duket se ky aktivitet e siguron “lëndën e parë” në rajonin e Shqipërisë Qendrore. Vetëm gjatë këtij viti policia ka sekuestruar rreth 30 mina me telekomandë dhe sasi të tjera eksplozivi dhe arrestuar mbi 15 persona, kryesisht në Durrës, Lezhë dhe Elbasan.