Video/ Kryebashkiaku i Bulqizës akuzohet për ‘fryrje’ të administratës

531

Kryebashkiaku i Bulqizës, Melaim Damzi, është akuzuar në mbledhjen e rradhës së muajit janar për “shpërdorim detyre” nga këshilltarët e majtë dhe të djathtë.

Në këtë mbledhje, në të cilën u miratua edhe numri i punonjësve të Bashkisë së Bulqizës, akuza ndaj kryebashkiakut kishte të bënte me “fryrjen” që sipas këshilltarëve, ai i ka bërë administratës së institucionit që drejton. Kjo “fryrje” është realizuar përmes rritjes artificiale të numrit të punonjësve mbi atë të miratuar në këshill si dhe me emërime fiktive.

Sipas këshilltarëve, numri total i punonjësve të bashkisë, përcaktohet prej tyre ndërsa ndarja në sektorë të veçantë bëhet prej kryebashkiakut. Kështu, për vitin e kaluar, numri i punonjësve të miratuar prej tyre ka qenë 350 vetë. Ndërkohë, për këtë vit, aktualisht ky numër është fryrë duke shkuar në 361 punonjës gjithsej, rritje kjo që, sipas këshilltarëve, mund të ketë ardhur nga fakti se jemi në një vit zgjedhor, gjë që hidhet poshtë nga kryebashkiaku, Damzi.

Këshilltarë e majtë dhe të djathtë, sollën shembuj konkretë të rritjes pa efiktive të numrit të punonjësve në mjaft sektorë, siç është ai i mirëmbajtjes së rrugëve rurale, ku nga 15 punonjës që marrin rroga, asnjë nuk shihet në rrugë për t’i mirëmbajtur ato. Po kështu, sipas projekt-vendimit për numrin e punonjësve, janë emëruar 75 edukatore, ndërkohë që kopshtet nuk ekzistojnë, dukeqenë se nuk është plotësuar numri për çeljen e tyre. Një tjetër shpërdorim vihet re edhe në numrin e punonjësve në pyje, ku nga 4 punonjës të miratuar ngë këshilli, aktualisht punojnë 10. Madje, sipas këshilltarëve, abuzimi me numrin e punonjësve, ka shkuar deri te punonjësit e varrezave, ku nga 1 punonjës që ,efektivisht, punon tek varrezat, paguhen 2 të tillë.

Burimi: Reporter.al