“Vëzhguesit Vendorë”: Forcat politike të bëjnë publike donatorët e fushatës

333

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikon raportin e ndërmjetëm të monitorimit III për periudhën 4 – 22 Qershor 2017.

Në raport ngrihet si shqetësim fakti që nuk janë bër publike fare ose janë bërë pjesërisht premtimet elektorale të subjekteve politike.

Kërkohet nga forcat politike që të bëjnë publike kanalet financiare të kësaj fushate
Gjetjet 

Subjektet zgjedhore më së shumti nuk publikuan, publikuan me vonesë apo publikuan pjesshëm një Dokument të Plotë Elektoral në lidhje me premtimet dhe zotimet e tyre në një mandat të mundshëm katër vjeçar.

Fushata Zgjedhore u dominua nga lidershipet partiake, duke lënë mënjanë argumentet, premtimet e matshme, platformat elektorale. Madje dhe kandidatët elektoralë mbetën në hijen e siglave elektorale.

Përpjekjet qeveritare dhe ndërveprimi i zhvilluar nga grupi ministror Task Force shërbeu më së shumti në shmangien e rasteve flagrante të përdorimit të administratës publike. Megjithatë baza ligjore e ndjekur dhe transparenca e punës së Task Force ishin problematike.

Nisma ligjore e Vendimit të Këshillit të Ministrave për të nxitur një punë ndërinstituconale në adresim të problematikave të korrupsioni zgjedhor, është perspektiva më e mirë.

Baza ligjore, marrja e përgjegjësive nga aktorët institucionalë, procedurialiteti i ndërveprimit dhe transparenca në punën e institucioneve ishin kritike.

Ndonëse në dispozicion të qytetarëve kishte forma të ndryshme të denoncimit, qofshin të specializuara apo alternative, të mundësuar nga institucione të ndryshme, numri i denoncimeve ishte tejet i ulët. Kjo për shkak të mungëses së transparencës që sigurojnë këto forma dhe të procedurës ligjore të mangët që mbartin.

Në fushatë nuk mungoi angazhimi i burimeve shtetërore dhe eksponentëve politikë veçanërisht atyre drejtues apo zyrtarë të pushtetit vendor.

Veprimtaria financiare e subjekteve zgjedhore për këtë fushatë zgjedhore dyshohet të jetë e lartë. Akoma më shqetësuese janë kanalët financiarë të kësaj fushate, ku format e “fushatës hije” apo nga të tretë janë sofistikuar edhe më.

Rekomandimet

I bëhet thirrje të gjithë aktorëve politikë, institucionalë dhe mediatikë të respektojnë në çdo rrethanë Ditën e Heshtjes Zgjedhore dhe Ditën e Zgjedhjeve.

Partitë politike të përmbushin sa më parë detyrimin ligjor në plotësimin e anëtarësisë së Komisioneve të Qendrave të Votimit.

I bëhet thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve politikë që të respektojnë me rigorozitet maksimal vullnetin e qytetarëve shqiptarë, si mbajtës të sovranitetit.

I bëhet thirrje Forcave të Rendit të kryejnë në respektim të ligjit dhe me devotshmëri ruajtjen e rendit publik gjatë Ditës së Zgjedhjeve duke siguruar në rradhë të parë një situatë të qetë dhe të sigurt në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shprehin të lirë vullnetin e tyre.

Ky proces zgjedhor duhe të jetë fundi dhe shembulli më i keq i një procesi zgjedhor ku vullneti politik qendron përtej ligjit në administrimin e procesit zgjedhor.

I bëhet thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo formë demagogjie elektorale, intimidimi apo shit-blerje vote.

I bëhet thirrje përkrahësve dhe militantëve partiakë të distancohen nga format e korrupsionit zgjedhor dhe të shmangin, dënojnë dhe distancohen ndaj çdo incidenti përgjatë Ditës së Zgjedhjeve.

I bëhet thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të sigurojnë që përkrahësit, militantët e tyre, apo ata vetë të ndalin, të distancohen publikisht si dhe të luftojnë çdo forme intimidimi, drejtimi apo shit-blerje vote.

I bëhet thirrje të gjithë institucioneve ligjzbatuese si Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë, Policisë së Shtetit apo edhe institucioneve të tjera që të luajnë një rol proaktiv për të evidentuar, faktuar dhe çuar përpara drejtësisë të gjitha rastet e intimidimit, apo çdo lloj forme korrupsioni zgjedhor që shfaqet , veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve apo gjatë procesit të numërimit.