Enti Rregullator i Energjisë vendos të mos rrisë çmimin e energjisë elektike duke fshirë kështu kërkesat e Korporatës së Energjisë Elektrike dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë për rritje të tarifave për disa segmente konsumatorësh. Në mbledhjen e djeshme ERE vendosi të lërë në fuqi vendimet 139, 145, 146, 147 dhe 148 të vitit 2014 ku janë përcaktuar çmimet që konsumatorët dhe kompanitë e sektorit energjitik paguajnë.
Kërkesat e rrëzuara
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i kërkoi ERE-s që me 2017 të aplikohen tarifa në nivele tensioni. Për konsumatorët fundor familjar OSHEE nuk kishte kërkuar rritje të tarifës, por bizneset që furnizohen me tension të mesëm e të lartë. ERE la të pandryshuara edhe tarifat e tjera për çdo nivel tensioni. Enti Rregullator nuk ndryshoi as tarifën që KESH i shet OSHEE energjinë edhe pse modeli i tregut që është në zbatim aktualisht kërkon që kjo tarifë të ndryshojë.
Aktualisht KESH e shet një kilovator energji 1.45 lekë dhe kishte kërkuar që kjo tarifë së paku të ishte 2.4 lekë. Enti Rregullator hodhi poshtë kërkesën e KESH. Në të njëjtën kohë edhe Operatori i Transmetimit të Energjisë OST kishte kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht. Por Enti Rregullator nuk e ka marrë në konsideratë këtë kërkesë duke e lënë të pandryshuar tarifën.
Tarifat
Nga 1 janari i vitit 2015 u vendos heqja e fashës mbrojtëse 300 kW/orë. Formula e vjetër detyronte abonentët familjarë të paguanin 7. 7 lekë për kW/orë deri në 300 kW/orë dhe mbi këtë nivel paguanin 13. 5 lekë për kw/orë. Ndërsa me unifikimin e çmimit tarifa zbriti në 9.5 lekë për kW/orë. Nga ky ndryshim përfituan rreth 75 % e e abonentëve.