Një 49-vjeçar, humbi jetën ditën e djeshme pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në galerinë e kromit të kompanisë “KACI – IF – 2012 shpk” në Zonën D të minierës së Bulqizës. Sipas Policisë Dibër, sot është arrestuar armatori i subjektit minerar, si dhe është proceduar penalisht brigadieri. “Ç. D, 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë armator në një subjekt minerar në zonën D), si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 50 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Thuhet në deklaratën e Policisë.
Personat e mësipër kanë pasur si detyrim ligjor kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë. “Ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 24.02.2021, në një nga nënkatet e subjektit minerar, është shembur një pjesë armature duke i shkaktuar vdekjen një 49-vjeçari (me detyrë vagonist).” Thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet për aksidentin i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Zona D ku ndodhi aksidenti, është cilësuar në vazhdimësi nga specialistët e minierës si më e pasigurta dhe me numrin më të lartë të aksidenteve të ndodhura në minierën e Bulqizës.
Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM.
Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektorati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentin në vendin e punës në këtë qark. Pesë prej viktimave ishin minatorë.