Tragjedia e pak ditëve më parë ku një 6-vjeçar në Dibër humbi jetën duke luajtur me portën e hekurit, duket se nuk është e para por as edhe e fundit nëse nuk merren masa për shmangien e kësaj problematike të shtrirë në vite.
Kësaj here thirrja sensibilizuese bëhet nga shefi i departamentit të Neurokirurgjisë në spitalin Universitar të Traumës, dr.Fatos Olldashi. I kontaktuar nga Citizens Channel, dr.Olldashi thotë se ndjen shumë keqardhje për humbjen e jetës së djalit të vogël dhe se ndjen detyrimin për ta bërë publik këtë problem.
“Në spital paraqiten rreth 10-15 raste në vit. Dëmtimet janë kryesisht të shtyllës kurrizore pasi pesha e portës bën “palosje” të trupit. Këto porta hekuri me shinë, kanë një mekanizëm që nuk janë të fiksuara mirë në pjesën e sipërme dhe janë shumë të lehta për të dalë nga shinat”, thekson shefi i neurokirurgjisë.
Duke i cilësuar këto dëmtime shumë serioze, që rrezikojnë jetën e pacientit ose që mund ta bëjnë atë invalid të përhershëm, një tjetër e dhënë shqetësuese është grupmosha e pacientëve. “Në spital paraqiten kryesisht fëmijët. Kjo, ngaqë nuk kanë mundësi që të përballojnë peshën e madhe të portës. Por ka edhe të rritur që në pozicione të caktuara nuk janë në gjendje të mbrohen nga kjo peshë”, evidenton dr.Olldashi.
Ai ka edhe një thirrje për të gjithë prodhuesit e këtyre portave. “Këto porta duhet të bëhen nga specialistë të certifikuar. Firmat që i ndërtojnë duhet të kenë inxhinierë dhe arkitektë që janë në gjendje të llogarisin peshat dhe masat mbrojtëse.”
Problematikë disa-vjeçare
Rasti më i fundit i tragjedive që shkaktojnë portat e hekurit ishte ai i datës 6 gusht të këtij viti në fshatin Blliçë të Dibrës. 6-vjeçari me inicialet A.S. kishte shkuar në shtëpinë e dajës së tij dhe ka qenë duke luajtur tek porta, në momentin kur ajo ka dalë nga shinat dhe i ka rënë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Thuajse një rast i ngjashëm u shënua në fshatin Duhanas të Beratit tre vite më parë, kur një 5-vjeçar humbi jetën në shtëpinë e tij. I ati ishte duke kryer punime në oborrin e shtëpisë, kur porta e hekurit u shkëput dhe zuri poshtë fëmijën, i cili nuk mundi t’u shpëtojë plagëve të marra.
Në tetorin e një viti më parë, roja e një mobilierie në Shkozet të Durrësit humbi jetën pasi i ra sipër porta e hekurit të punës. 52-vjeçari A.Ç mësohet se gjeti vdekjen e menjëhershme.
Autor: El.El / Citizens Channel