“Ura e Zogut” përfshihet në listën e 12 monumenteve të rrezikuara

837
Foto kolazh i monumenteve të përzgjedhura nga Europa Nostra. Foto nga Europa Nostra.

Organizata Europa Nostra njoftoi të martën se ka përzgjedhur “Urën e Zogut” si një prej 12 monumenteve të kulturës Europiane të rrezikuara nga shkatërrimi. Ura e veçantë mbi lumin Mat ka pësuar dëmtime në këmbët e saj për shkak të erozionit të nxitur nga shfrytëzimi i paligjshëm i shtratit të lumit dhe rrezikon seriozisht shembjen.

“Në këtë fazë të aplikimit, jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju lajmin se Ura e Zogut ka kaluar fazën e parë të përzgjedhjes, dhe tashmë bën pjesë në 12 monumentet në rrezik shkatërrimi, më interes të lartë për mbrojtjen e tyre”, thotë Elton Laska, drejtues i Qendrës Rinore Sebastia në Kurbin. Sebastia organizoi një peticion dhe mblodhi 3 mijë firma në përpjekje për të ruajtur urën dhe për një projekt të restaurimit të saj.

Në përshkrimin e bërë për urën, organizata Europa Nostra thotë se ajo është ndër më të veçanta në Europën Jugore. “Ura e Zogut është një kryevepër e inxhinierisë civile e fillim shekullit të 20-të në Ballkan. E ndërtuar në vitin 1927 mbi lumin Mat në Veri të Shqipërisë, ura ështe e admiruar për strukturë arkitekturore, gjatësinë dhe stilin e harqeve të çelikut. Ajo konsiderohet një arritje e rëndësishme në fushën e ndërtimeve me metal dhe beton mbi lumenjtë në Evropën Jugore”, thuhet në arsyetimin e përzgjedhjes ndarë nga Europa Nostra.

Ura e Zogët do i nënshtrohet tani vlerësimit për në fazën finale në të cilën zgjidhen 7 monumente, që përfitojnë një mbështetje prej 10 mijë eurosh për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre.

Veç urës në listë janë edhe një sërë monumentesh në Europë: Manastiri Récollets, Nivelles, Holandë, Fshati Doel dhe peizazhi kulturor, Holandë, Garden City La Butte Rouge, afër Parisit në Francë, Qendra Historike e Stolberg, në Gjermani, Banjat e Neptunit, në Rumani, Pallati Orléans-Borbón, afër Kadizit në Spanjë,  Sinagoga e Híjar/Kisha e Shën Antonit, në Spanjë, Zona Industriale e Lövholmen në Stokholm Suedi, Kalaja Crèvecoeur në Den Bosch Holandë, kompozimet skulpturore të Buchach Town Hall në Ukrainë, Pallati Sanguszko, në Ukrainë.

Programi është një iniciativë e përbashkët e Europa Nostra, një nga organizatat kryesore e trashëgimisë Europiane dhe Institutit Banka Europiane e Investimeve, që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe veprimtarinë për të ruajtur vendet e rrezikuara të trashëgimisë në Europë. Lista përfundimtare e shtatë vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë europiane do të përzgjidhet nga bordi i Europa Nostra më mars. Një vit më parë Teatri Kombëtar u përfshi në listën e monumenteve, por kjo përshfirje u anashkalua nga qeveria që vendosi shembjen e godinës.

“Për ne kjo është një fitore e vogël, pasi mendojmë se Ura e Zogut meriton fitoren e madhe, jetë të gjatë! Shpresoj shumë që kjo ngjarje të shërbeje për qëllimin final i cili është, shpëtimi i urës nga shkatërrimi”,  thotë Laska.

Ura ka pësuar dëmtime të ndryshme dhe afro 1 vit më parë një këmbë e urës u fundos. Shkak besohet se është shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumit Mat për nxjerrje inertesh. Edhe pse prej vitesh ishte e qartë që shfrytëzimi i lumit kishte krijuar pasoja të rënda në mjedis dhe në monumentin e kulturës reagimi i institucioneve ka qenë i mefshtë dhe nuk ka ndaluar atë që specialistët e shohin si masakër.