Uji i vaditjes fut në konflikt banorët e Martaneshit me kompanitë e HEC-eve

Banorët e Martaneshit ankohen se projektet energjetike mbi lumin Mat kanë shkatërruar ekosistemin dhe i kanë lënë pa ujë për të vaditur tokat e tyre gjatë verës.

672
Prita e betonit në lum, aty ku fillon tubacioni i një HEC-i. Foto: Entenela Ndrevataj

Rrjedha e sipërme e lumit Mat në Martanesh ndan fshatin Gjon nga fshati Peshk – i cili e merr emrin nga fauna e lumit dikur e pasur me troftë të egër. Prej disa vitesh rrjedha e Matit është devijuar nëpërmjet tubave dhe kanaleve të betonit të ndërtuara si pjesë e HEC-eve për gjenerimin e energjisë elektrike dhe lumi që ndante dy fshatrat malorë është tharë. Mungesa e ujit ka nxitur konflikte midis banorëve të zonës dhe kompanive energjetike që kanë ndërtuar hidrocentralet.

“Tek ne që kur kanë filluar të ndërtohen HEC-et nuk ka pasur më ujë,” shprehet Ali Aliu, banor i fshatit Peshk, i cili thekson se hidrocentralet dhe fabrikat e pasurimit të kromit e shkatërruan lumin dhe kanë zhdukur peshkun. “Dikur vaditnim 24 orë me ujë, sot ne edhe me orare e nuk po vadisim dot,” tregon Aliu.

Që nga viti 2012, në të gjithë territorin e Bashkisë Bulqizë janë ndërtuar 15 HEC-e të reja, nga të cilët 7 janë ngritur në territorin e Martaneshit.

Ekspertët nënvizojnë se HEC-et e vegjël duhet të operojnë vetëm në periudha të caktuara kur prurjet e ujit janë maksimale, në mënyrë që të mos ndikojnë negativisht ekosistemin dhe furnizimin me ujë të tokave bujqësore.

Sipas banorëve të zonës kompanitë e HEC-eve nuk e respektojnë periudhën e vaditjes, duke e bërë të pamundur për fermerët të mbjellin produktet e tyre.

Të kontaktuar nga BIRN, administratorët e disa prej kompanive hidroenergjetike në zonën e Martaneshit i mohuan akuzat, duke theksuar se i kanë respektuar periudhat e vaditjes për fshatrat e zonës.

Superfuqi energjetike

Nisma e qeverisë Berisha e vitit 2007 për ta kthyer Shqipërinë në “superfuqi energjetike”, i hapi rrugën lejeve dhe koncensioneve për të ndërtuar mbi lumenjtë e vendit HEC-e për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe pas rotacionit politik të vitit 2013-të e njëjta linjë vazhdoi të ndiqej edhe nga qeveria Rama.

Banorët në Martanesh tregojnë se praktikat e ndjekura për ndërtimin e HEC-eve kanë qenë jo transparente dhe të pakonsultuara me komunitetin, gjithashtu edhe për sa i përket kohës se kur do duhej të përdorej uji për vaditje.

Me 17 korrik, kryepleqtë e fshatrave të Martaneshit mbajtën një takim me kryetarin e bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla ku u ankuan ndaj kompanive që kanë në pronësi HEC-et në këtë zonë, se nuk po respektojnë kontratat për përdorimin e ujit vaditës.

Kryetarët e fshatrave, deklaruan në takim se ata e kishin të nevojshëm ujin që në javën e parë të muajit maj për vaditje, ndërsa këtë vit e kanë marrë ujin në fillim të javës së dytë të korrikut, gati dy muaj me vonesë.

Alla i kërkoi kompanive koncesionare të HEC-eve që të marrin masa dhe të respektojnë periudhën e vaditjes për banorët e zonës.

“Prej pronarëve të HEC-eve, në këto tre muaj ju e keni në kontratë që nuk duhet ta pengoni periudhën e vaditjes dhe kjo është e qartë,” tha ai. “Pronarët e HEC-eve për asnjë lloj shkaku, arsye të mos pengojnë sezonin vaditës,” shtoi ai.

Në fshatrat e Martaneshit, banorët tregojnë se për këtë vit uji në tokat e tyre ka ardhur në javën e dytë të korrikut. Kjo ka ndodhur për dy arsye: prej mos lëshimit të ujit nga HEC-et që e përdorin për prodhimin e energjisë elektrike dhe prej dëmtimit të kanalit vaditës të gjatë 9.5 km që prek disa fshatra.

Kujtim Balla, ish-kryetar i fshatit Peshk, tregon për BIRN se që kur janë ndërtuar këto HEC-e, nuk i pyeti njeri se si do të zgjidhej çështja e ujit vaditës.

“Këto HEC-e kanë ndikuar shumë keq në vaditje. Kjo sepse shumë burime të vogla që futeshin në lum dhe vaditnim me të nuk janë më,” tha Balla, ndërsa shtoi “se tani ka mbetur vetëm kanali kryesor.”

Ai shpjegoi se HEC-et e kanë mbledhur ujin në tuba central pas centrali që nga rezervuari i Ballenjës .

“Po u mor dhe ky ujë për 4-5 muaj kur kemi periudhën e vaditjes, këtu nuk mund të mbillet asnjë lloj bime,” tha ai. “Për t’u vaditur tokat ne na duhet që në 5 maj, ndërsa për këtë vit uji në fshat ka ardhë me 8 korrik,” shtoi Balla.

Mungesa e ujit dhe infrastruktura e keqe rrugore e zonës kanë ndikuar në largimin e të rinjve duke sjellë dhe uljen e popullsisë gjatë viteve të fundit.  Ky fenomen reflektohet edhe në fshatin Ndërfushas. Banorët e këtij fshati tregojnë se shkolla 9-vjeçare e fshatit vite më parë kishte afro 300-400 nxënës, ndërsa sot jo më shumë se 15 nxënës dhe mësimi bëhet në klasa kolektive.

Drita Deliu, kryetare e këtij fshati shprehet se problemi me kompanitë që kanë ndërtuar HEC-et në zonë vjen për shkak se ato nuk kanë një marrëveshje për përdorimin e ujit të cilin fshati e përdor për ujë të pijshëm, për vaditje dhe për bagëtinë. Sipas Deliut pronarët e HEC-eve thonë se e kanë në kontratë koncesionare që ujin t’ua japim nga 15 qershori deri me 15 shtator.

“Banorët e fshatit nuk janë dakord me atë kontratë dhe këtu lind mosmarrëveshje me firmën,” tha ajo. “Kur janë ndërtuar këto HEC-e, as na ka pyetur kush e as na ka dëgjuar kush,” përfundoi Deliu.

Burim konfliktesh

BIRN kontaktoi me administratorët e një sërë kompanish të HEC-eve që operojnë në zonën e Martaneshit, lidhur me pretendimet se kur do të duhej të lëshohej uji.

Ardit Mali, administrator i kompanisë “Gama Energy”, HEC-i që veprën e marrjes së ujit e ka në krye të kanalit vaditës, shprehet se e ka respektuar kontratën koncesionare për lejimin e ujit vaditës për banorët e zonës.

“Edhe po të ketë ujë në këtë periudhë, edhe për ne edhe për banorët, ne nuk e marrim dot,” tha Mali, sipas të cilit kompania e ka detyrim që banorëve t’i lëshojë ujin për vaditje nga 15 qershori deri në 15 shtator. “Me banorët e zonës ku shtrihet HEC-i jonë e kemi respektu, pjesën e vaditjes dhe HEC-i nuk është në punë,” shtoi ai.

Mali nënvizoi se kishin punuar disa herë që kanali vaditës i fshatit të sistemohej, por gjatë periudhës së dimrit, kur kishte pasur shumë prurje ishte dëmtuar.

Në të njëjtën linjë me Malin është edhe administratori i kompanisë “Koxherri Energji”, Eljon Koxherri.  Ky i fundit shprehet se ankesat ndaj HEC-eve vijnë nga persona dashakeqës që janë larguar prej vitesh nga Martaneshi.

“Kompania që unë administroj prek dy fshatra, me shumë pak banorë se ato janë larguar,” shpjegoi ai. “Në periudhën 15 maj deri më 1 qershor lihet një pjesë uji për vaditje sepse ka edhe burime anësore që këtë pjesë uji e plotësojnë. Duke filluar nga 1 qershori deri më 1 shtator do të lihet 100% e sasisë,” shtoi Koxherri.

Administratori i njësisë administrative Martanesh, Arjan Haslika mohoi se kompanitë koncesionare të kishin shkelur kontratat dhe afatet e lëshimit të ujit për vaditje.

Haslika tha se problemet me ujin për vaditje kishin ardhur pasi është dëmtuar një kanal vaditës në fshatin Peshk, që kompania “Gama Energy” e kishte pasur të pamundur për ta sistemuar pasi i kishte mjetet e dëmtuara.

“Tek kanali vaditës për në fshatin Peshk, kanë pasur si detyrë që një pjesë ta sistemojnë me beton,” tha ai, duke theksuar se ky detyrim i kompanisë pretendohej nga banorët, ndërkohë që ai nuk kishte informacion nëse ishte kontraktual.

“Banorët thonë që kjo duhej të ishte bërë me beton, trashe, kurse aktualisht nuk është bërë asgjë nga këto,” shtoi Haslika.

Sipas ekspertëve konfliktet për ujin mes fermerëve dhe kompanive koncesionare të HEC-eve nuk janë një fenomen i shtrirë vetëm në Martanesh.

Një studim vlerësues mbi konfliktet për ujin të lidhura me HEC-et në Shqipëri, i titulluar ‘Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri’ dhe i realizuar nga tre organizata mjedisore, nxori në pah se ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël janë burimi kryesor i konflikteve, duke listuar si shkaqe nxitëse mungesën e konsultimeve dhe atë të informimit të komuniteteve të prekura nga ndërtimi i HEC-eve, të drejtat e ujit dhe shkatërrimin mjedisor.

Olsi Nika nga organizata mjedisore Eco Albania, i tha BIRN se zona e Martaneshit në një masë të gjerë gëzon statusin e zonës mjedisore të mbrojtur, por është një nga zonat me densitetin më të lartë të ndërtimit të HEC-eve, së bashku me Librazhdin, Kolonjën e Korçën.

“Normalisht HEC-et e vegjël duhet të operojnë në periudha të caktuara, kur prurjet në lumë janë maksimale, pa penguar vijueshmërinë e normalitetit të ekosistemit dhe komuniteteve lokale,” tha Nika.

“Për fat të keq në pjesën dërrmuese të HEC-eve në Shqipëri, kjo gjë nuk ndodh,” përfundoi ai.