Ujësjellësi në Gjoricë u ndërtua, por uji nuk është i pijshëm

209
Foto ilustruese nga Gjorica

Ndërtimi i ujësjellësit të Gjoricës u krye në dy faza investimi, me një kosto prej rreth 2.4 milionë euro. Megjithatë, ky investim i pritur prej vitesh nuk solli zgjidhjen e furnizimit me ujë të pijshëm. Banorët janë helmuar disa herë si pasojë e ujit të ndotur.

Në qershor të këtij viti, përzierja e ujit të pijshëm me ujërat e zeza, solli që dhjetëra banorë të paraqiteshin me të njëjtat simptoma, kryesisht diarre dhe të vjella për të marrë trajtim mjekësor. Si rrjedhojë, ata janë të detyruar të gjejnë burime alternative për t’u furnizuar me ujë, që nga burimet në zonat e tjera e deri tek puset.

Në vitin 2015-të, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Bulqizë investuan afro 83 milionë lekë të reja (pa tvsh) në fazën e parë të ndërtimit të këtij ujësjellësi, kompania ndërtuese ishte “EGLAND”. Në fund të vitit 2020 do të përfundonte edhe tenderimi për fazën e dytë të këtij ujësjellësi, që përfshinte rrjetin shpërndarës dhe depos kryesore me një vlerë prej afro 191 milionë lekë të reja, fituar nga po e njëjta kompani.

Pavarësisht se ujësjellësi quhet i përfunduar dhe paratë publike janë shpenzuar, ai nuk është në funksion të banorëve.

Ndotja në ujësjellësin e Gjoricës ka sjellë debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me përfaqësuesit e UKD-së. Këshilltarët shprehen se ky projekt është zbatur duke mos shfrytëzuar burimin që del nga mali në Trebisht, por në pjesën fundore që preket nga ndotja.

KLIKO KËTU PËR TË PARË VIDEON