U bë “kurban” i marrëveshjes Rama- Basha, Ministrja shkruan letrën e lamtumirës…

308

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka publikuar një letër të gjatë ku falenderon bashkëpunëtorët e saj e kryeministrin Edi Rama për mundësinë që ju dha për të qenë në krye të kësaj Ministrie.

Nikolla është njëra ndër 6 ministrat që shumë shpejt do të lënë postin për tja dhënë kandidatëve që do të prezantohen këtë javë nga Partia Demokratike, në bazë të marrëveshjes së arritur mes kryeministrit dhe Bashës.

Në letrën e “lamtumirës”, Nikolla i kërkon ndjesë të gjithë atyre personave që janë sulmuar politikisht për shkakun e saj. Ministrja shkruan gjithashtu se është krenare që arriti të punojë së bashku me qeverinë Rama për të kaluar reformën në arsim.

Nikolla nuk ka harruar mësuesit, për të cilët ka shkruar:

LETRA:

Të dashur kolegë,

Mirënjohje, që falë punës suaj, unë kam marrë meritat. Ndjesë, që për shkakun e sulmeve ndaj meje, ju nuk keni marrë gjithçka meritoni. Nuk di nga t’ia filloj për t’ju thënë se sa krenare jam për secilin prej jush, sa në borxh jam, po ashtu, për orët e zgjatura e pushimet e shkurtuara. Ndjesë! Jam e bekuar që punova me ju dhe që mundëm të hartonim një reformë sistemike në sistemin tonë arsimor, që nga ai parashkollor e deri në arsimin e lartë. Ju do të mbaheni mend edhe si njerëzit që i dhatë fund një sistemi fiktiv në arsimin tonë të lartë, dukë shembur plot 22 universitete fantazëm, por edhe duke mundësuar një proces akreditimi si kurrë më parë. Mirënjohje!

Të dashur mësues, Në ditë vendimmarrjesh të vështira, gjithmonë jam nisur drejt një shkolle për të dëgjuar nga ju dhe parë nga afër rezultatet e arritura apo të munguara. Ju kam takuar e dëgjuar në shkolla të rikonstruktuara apo me probleme të mëdha infrastrukturore, në qytet e në fshat, nga veriu në jug. Mirënjohje për atë që më keni dhënë mua personalisht në këtë detyrë të vështirë, për të qenë e vërtetë, për të vëzhguar e dëgjuar, për të folur vetëm me punë, për të kërkuar ndjesë, për të mos u kompleksuar ndaj vështirësive, e mbi të gjitha, për të mos marrë mbi vete merita të paqena. Ne jemi përfshirë në një reformë për të prekur “në çdo centimetër” arsimin. Por ajo duhet të vijojë, pasi kemi ende shumë për të bërë për shkollën që duam. Ju sot nuk konkuroheni më nga diploma fiktive të universiteteve fantazmë, që përgatisnin mësues, por as nga studimet part-time. Sot, përmes renditjes në Portalin “Mësues për Shqipërinë”, nuk ju duhet të tregoni tesrën apo xhepin për t’u punësuar, por vetëm meritën. Më lejoni një lutje të dashur kolegë, Jeni në përgatitjet e fundit të mbylljes së vitit. Lutem për një vëmendje edhe më të fortë ndaj Maturës Shtetërore. Ju përgëzoj për informimin e çdo maturanti, por ai duhet të vijojë të jetë prioritet i çdo dite. Të mos lëmë asnjë shteg keqinformimi dhe përdorimi të maturantëve nga askush. Të dashur pedagogë e profesorë, Faleminderit për gjithë mbështetjen, këshillën dhe kritikën që më keni dhënë. Komunikimi me ju ka qenë tejet i vyer për mua dhe besoj se ia dolëm ta kthejmë në një standard institucional midis MAS dhe universiteteve. Nuk dua të rendis shumçka mundëm të ndryshojmë bashkarisht, pasi nëse janë reale ato flasin vetë, por të përcjell besimin se garancia e reformës në arsimin e lartë jeni ju. Mirënjohje!

Të dashur sportistë, Mirënjohëse që fati e deshi të përjetoja si Ministre e Sportit krenarinë e rezultateve tuaja. Më keni dhënë shumë nga pasioni dhe këmbëngulja juaj. Krenare që qeveria e Edi Ramës investoi në sport si kurrë më parë, por edhe që e ktheu sportin në një komponentë të rëndësishëm të edukimit. Faleminderit e mirënjohje për çdo socialiste e socialist që më besoi e mbështeti në rrugën e largimit të politikës nga arsimi. Me largimin tim si minister, mbetet ta vërtetojnë edhe ata që e dyshuan sot në opozitë, por që e instaluan në mënyrën më të shëmtuar dje në pushtet.

Faleminderit Edi Rama, për besimin dhe mbështetjen që i dhe një mësueseje me sfidën për të përmbushur pritshmëritë përballë situatave aspak të lehta. Kemi ende shumë për të bërë, por shumë më shumë për të humbur, nëse kthehemi pas. # EdiRAMA#PërShqipërinëQëDuam#PS/Gazeta Express