Afro një muaj pas protestave të minatorëve të Bulqizës para kompanisë Albchrome, Prokuroria e Dibrës, pushoi hetimet në ngarkim të disa minatorëve të akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme. Minatorët u proceduan nga policia në fillim të dhjetorit gjatë protestave, dhe kërkoi nisjen e hetimeve për 6 minatorë dhe një aktivist të Organizatës Politike. Vendimi i pushimit të hetimit dhe mosfillimin e kallëzimit penal, të cilin Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e ka bërë publike është marrë më 30 dhjetor 2019.
POSTIMI I PLOTË I SMBB
Marrin fund shpifjet e Albchrome dhe sindikatës së saj servile: Protesta e minatorëve ka qenë e ligjshme!
Më 4 dhjetor 2019, pas një kallëzimi banal të bërë nga kompania Albchrome në bashkëpunim me policinë, Prokuroria e Dibrës nisi hetimet për procedim të mundshëm penal ndaj disa drejtuesve të sindikatës sonë dhe minatorëve të thjeshtë që protestonin në mënyrë paqësore para minierës.
Pas hetimit gati 1-mujor, më datë 30 dhjetor 2019 Prokuroria e Dibrës ka dalë në përfundimin për të mos nisur kallëzimin penal ndaj sindikalistëve, duke e quajtur të padrejtë dhe të pabazë ligjërisht!
Pas shpifjeve dhe presioneve të pafundme ndaj punëtorëve, e drejta dhe e vërteta ka dalë në shesh. Ku mbeten tashmë kompania, që vetëmburret për seriozitet, dhe ortakët e saj pseudo-sindikalistë?