Ditën e premte një tërmet me magnitudë 4,4 shkalla Rihter dhe epiqendër në Shupenzë të bashkisë Bulqizë, lëkundi verilindjen e Shqipërisë.
Lëkundjet sizmike u ndjenë në disa qytete të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut, por dëmin më të madh tërmeti e shkaktoi në Bulqizë, kryesisht në plasaritje muresh të shtëpive, dëmtim të orendive shtëpiake dhe të disa çative.
Fillimisht Ministria e Mbrojtjes shpërndau një njoftim për mediat, ku bënte me dije se ishin 14 banesa të dëmtuara në bashkinë Bulqizë, kryesisht në çarje muresh, dëmtime tavanesh e të ngjashme.
Por Flamur Jella, drejtues i Emergjencave Civile në Bashkinë e Bulqizës në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al u shpreh se numri i banesave të dëmtuara ishte më i lartë se ai i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, që siç tha ai ka sjellë informacion të orës 11:00 paradite.
“Në të dhënat e mbledhura në terren nga grupi i punës që ne kemi ngritur, por edhe nga kryepleqtë dhe njësitë administrative, rezulton se në total janë 33 banesa të raportuara si të dëmtuara”, tha Jella.
Sipas tij dItën e hënë nis edhe verifikimi i plotë në terren nga grupi i punës dhe do të përgatiten edhe dosjet e plota për çdo banesë të dëmtuar.
Ai tha se deri më tani janë raportuar dëmtime të tilla si plasaritje apo ndonjë dëmtim tjetër i vogël, por jo dëme të konsiderueshme apo që mund të jenë kërcënim serioz për jetën e banorëve.
“Shpijat që janë dëmtuar më së shumti kanë qenë ato të amortiziuara që një lëkundje tërmeti sado e vogël sjell një sërë dëmesh”, tha Jella.
Sipas të dhënave EMSC, Bulqiza u godit një sërë tërmetesh ditën e premte. Tërmeti i parë ishte 3.3, tërmeti i dyti 2.7 ndërsa tërmeti i tretë ishte me magnitudë 4.4 ballë i shkallës rihter dhe epiqendra e tërmetit më të fuqishëm, ka qenë në një thellësi prej 11 km dhe është shënuar në orën 08:10.
Në një deklaratë në profilin e tij në rrjetet sociale, Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla bëri me dije se janë shënuar disa dëme materiale, kryesisht në çarje të shtëpive në disa njësi dhe fshatra të ndryshme. “Fatmirësisht nuk ka humbje jete dhe dëmtime të rënda banesash ku të kërkohet evakuimi i banorëve”, deklaron Alla.