Tenderi për sistemin e faturimit, KPP urdhëron nisjen e hetimeve ndaj Ujësjellës-Kanalizime Dibër

895
Foto ilustruese

Një tender me vlerë afro 75 mijë euro për sistemin e faturimit, zhvilluar nga shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër, ka ngritur dyshime të forta për korrupsion, duke e detyruar Komisionin e Prokurimeve Publike që të urdhërojë nisjen e hetimeve nga Agjencia e Prokurimeve.

Tenderi i zhvilluar në datën 9 gusht ka patur si objekt “Implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të faturimit, migrimin e të dhënave, ofrimi shërbimit dhe integrimi i sistemit të fiskalizimit” për shoqërinë rajonale Ujësjellës-Kanalizime Dibër.

Sipas dokumentave zyrtare në garë kanë marrë pjesë dy kompani. Shoqëria “Kreatx” ka paraqitur ofertën 3.65 milionë lekë ose rreth 34.5 mijë euro, publikuar nga oligarkia.al. Ndërsa oferta e dytë ishte ajo e kompanisë “Primius Albania” shpk me vlerë 65 mijë euro ose gati dy herë më shumë se sa oferta e parë.

Pas zhvillimit të tenderit, Ujësjellësi i Dibrës ka skualifikuar ofertën më të ulët duke shpallur fituese atë të “Primiues Albania”, e cila ishte 30 mijë euro më e lartë.

Veprime të paligjshme

Në shpalljen e fituesit, shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër e ka arsyetuar skualifikimin e ofertës më të ulët me faktin se kompania “Kreatx” nuk e kishte siguruar ofertën në bankë, por përmes një shoqërie sigurimi.

Por kompania e ankimoi arsyen e skualifikimit në Komisionin e Prokurimeve Publike.
“Referuar frymes së legjislacionit, Autoriteti Kontrakotr në hartimin e kësaj kerkese ku përcakon se dokumenacioni i cili duhet dorëzuar për të plotësuar kërkesën e autoriteti kontraktor në lidhje me sigurimin e ofertës duhet bërë vetëm me Garanci Bankare është në kundërshtim me ligjin,” konstaton KPP.

Për këtë arsye, Komisioni ka urdhëruar anulimin e tenderit si dhe i ka propozuar Agjencisë së Prokurimeve që të nis hetim administrativ ndaj Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Dibër.

“Lidhur me evidentimin e kryer nga ana jonë, autoriteti kontraktor ka kryer shkelje të ligjit dhe rregullave të prokurimit, si dhe parimeve kryesore mbi bazën e të cilave është hartuar ligji për prokurimin publik. Referuar çështjes së mësipërme, KPP gjykon, se ky rast duhet t’i referohet Agjencisë së Prokurimit Publik, për nisjen e hetimit administrativ kundrejt Autoritetit Kontraktor, bazuar në nenin 23, të Ligjit nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, thuhet në vendimin e KPP.

Ujësjellësi i Dibrës

Në kuadër të reformës së ujësjellësave, shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Dibrës përmbledh ujësjellësat Dibër, Mat, Klos dhe Bulqizës. Kjo shoqëri zotërohet në masën 51 për qind nga Ministria e Infrastrukturës dhe pjesën tjetër të aksioneve e kanë bashkitë përkatëse.

Drejtori i shoqërisë është Mario Bakalli, i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Taks Forcës për Transportin Rrugor në ministri. Prej themelimit në shtator 2022, shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër, ka dalë me “bereqet” përsa i përket procedurave tenderuese. Në harkun kohor të një viti, janë realizuar disa procedura tenderuese, në total me vlerë të fondit limit afro 5.4 milionë euro.