Neglizhencën e Bashkisë Bulqizë dhe të kompanisë Arilda SHPK, e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit e vuajnë banorët, që nuk kanë parë deri më tani një rikonstruksion serioz për rrugët problematike të qytetit, ku në shumë prej tyre vijojnë të ketë gropa të mëdha.
Në fillim të muajit tetor 2018, Bashkia Bulqizë ka lidhur me kompaninë Arilda Sh.P.K një kontratë prej 2,296,940 lekë për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit. Kohëzgjatja e kontratës për një rikonstruksion të tillë të rrugëve të qytetit ishte 14 ditë, kohë në të cilën kompania do të duhej të bënte punimet. Por nëqytetin e Bulqizës u sistemuan vetëm disa rrugë, ndërsa në shumë të tjera u lanë pa mbushur gropat e krijuara në asfalt.
Vjollca Suroçi, banore e Lagjes së Re në Bulqizë tregon për Porta Vendore se është ndërhyrë në disa rrugë, duke i lënë ato në brendësi të Lagjes së Re, pa as edhe një investim. “Është mbushur ajo ulja e rrugës që ishte krijuar në hyrje të Lagjes së Re, aty në afërsi të stacionit të urbanëve dhe kaq. Por këtu ke plot rrugë që janë bërë gropat sa një pusetë dhe nuk është hedhur as edhe një lopatë zhavorr. Sa zbret në qendër të Lagjes së Re tëzë syri një gjendje të tillë të rrugëve, ato që kanëmakinë e kanë edhe dëmin direkt”, tha Vjollca.
Gëzim Balla, pronar i kompanisë Arilda Sh.P.K që u shpall fituese e tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve të brendshme të qytetit të Bulqizës, deklaron për Porta Vendore se problemi nuk qëndron tek ai, por Bashkia Bulqizë nuk ka bërë likujdimet e plota financiare ndaj kompanisë që ai drejton. “Puna do të nisë sërish për mbushjen e gropave, sepse ngaqë janë blerje të vogla asfalti, kompanitë që tregtojnë të tillë materiale nuk e ndezin fabrikën për një kamion. Sapo tënisë edhe asfaltimi i blloqeve të tjera të banimit në Lagjen e Re, do të bëhet edhe blerja e asfaltit që do të përdoret për mbushjen e gropave të lëna pa mbushur”, tha Balla.
Sipas Ballës, për vitin 2019-të në Lagjen e Re është projektuar të rikonstruktohet një bllok pallatesh dhe do të shfrytëzohet ky rast për të blerë asfalt. Kontrata si afat për kryerjen e punimeve kishte 14 ditë nga momenti i lidhjes së kontratës. Lidhja e kontratës është bërë më datë 01 tetor 2018-të dhe presupozohej se brenda datës 15 tetor punimet për rikonstruksionin e rrugëve duhej të ishin mbyllur.
Melaim Damzi, pyetur me telefon nga Porta Vendore për këtë çëshjte, e hedh poshtë një qëndrim të tillë të administratorit të kompanise fituese të tenderit. Për Damzin, kontrata ka përfunduar dhe se përpara se të shpallej tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit të Bulqizës, ka pasur një studim dhe preventiv paraprak nga Zyra e Urbanistikës së Bashkisë Bulqizë. Sipas Damzit, në rrugët e qytetit të Bulqizës nuk ka gropa sepse janë mbyllur nga rikonstruksioni që është bërë.
Këtë qëndrim Damzi e mbajti edhe në mbledhjen e muajit Dhjetor 2018 të Këshillit Bashkiak, kur një nga këshilltarët kishte ngritur një shqetësim të tillë, duke u shprehur se në një pjesë të rrugëve të Bulqizës nuk ishte ndërhyrë për mirëmbajtjen e tyre edhe pse ishte lëvruar një fond nga paratë e buxhetit të bashkisë.
Autor: Sami Curri | Porta Vendore