TABELA/ Biznesi ul qepenin. Mbyllen 16 mijë ndërmarrje për 9 muaj

429

Numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin është rritur me një ritëm të pashënuar ndonjëherë më parë. Dokumentet zyrtarë të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm për 9 muaj, janë mbyllur mbi 16 mijë ndërmarrje, të cilat kanë kaluar në status pasiv.

Lista e bizneseve pasive nisi të publikohej për herë të parë në maj të vitit të kaluar. Në atë kohë, Tatimet deklaruan se në Shqipëri rezultonin në total 91 mijë biznese me status pasiv, të cilat ishin akumuluar që nga viti 1992.

Por në fillim të muajit shkurt, shifra e bizneseve në pasiv u rrit në mbi 107 mijë subjekte. Kjo do të thotë se vetëm brenda 9 muajsh mbi 16 mijë ndërmarrje janë detyruar të mbyllin aktivitetin dhe të kalojnë në status pasiv.

Kriza, taksat, gjobat

Arsyet se pse shumë bizneset po detyrohen të mbyllin qepenat janë disa. E para ka lidhje me krizën e gjatë ekonomike, e cila ka goditur konsumin e popullatës dhe rrjedhimisht edhe shitjet e biznesit.

Gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit bizneset janë përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërmori dy rritje taksash rresht në vitet 2015-2015 me nga 200 milionë dollarë secila.

Por rritja e taksave qëndrore nuk ishte e vetmja. Vitin e kaluar bizneset u përballën me një tjetër rritje, këtë herë të taksave lokale, veçanërisht në kryeqytet. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë.

Përgjatë kësaj kohe, autoritetet fiskale kanë rritur edhe masat represive. Në vitin 2015 qeveria nisi një aksion kundër informalitetit, që u karakterizua nga një agresivitet shumë i lartë i tatimorëve dhe strukturave të tjera shtetërore. Verën e viti të kaluar aksioni kulmoi me një valë gjobash, të cilat kanë rezultuar fatale për shumë biznese, duke i detyruar të mbyllen.

SYRI.net