36 fëmijë me aftësi të kufizuar në zonën e Peshkopisë, Maqellarës, Tominit dhe Kastriotit do të marrin shërbime të specializuara në banesat e tyre.
World Vision Shqipëri dhe Kosovë nënshkoi marrëveshjen e bashkëpunimit me Bashkinë Dibër për zbatimin e programit social “Tungjatjeta Jetë”.
Në komunikatën shpërndarë për mediat nga World Vision, bëhet me dije se ekipi i “Tungjatjeta”, i përbërë nga një punonjës social, një psikolog, një fizioterapist dhe një logopedist do të hartojë dhe zbatojë një Plan Zhvillimi Individual në bazë të nevojave të fëmijës, por edhe famijarëve të tyre duke ofruar shërbime të specializuara.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale Dibër, 4.2 % e numrit total të personave me aftësi të kufizuar në Bashkinë Dibër janë fëmijë. Por studimi i prevalencës së aftësisë së kufizuar tregoi se 14.6% e fëmijëve 2-17 vjeç në Bashkinë Dibër rezultojnë me aftësi të kufizuar.
Mungesa e qendrave që ofrojnë këto shërbime, pamundësia ekonomike, mungesa e informacionit apo mentaliteti janë disa ndër arsyet pse këta fëmijë nuk marrin shërbimet që iu nevojiten. Për këtë arsye, Dibra është bashkia e dytë në Shqipëri që do të zbatojë këtë model ndërhyrjeje dhe do të përfshijë ekipin Tungjatjeta në organigramën e saj.
Eljona Boçe Elmazi, Drejtoresha e Ballkanit Perëndimor në World Vision tha: “Çdo bashki duhet të përfshijë këto plane lokale sociale në buxhetin vjetor. Është detyra e pushtetit vendor të planifikojë, të buxhetojë dhe të ofrojë shërbimet e specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara. Tungjatjeta…Jetë është programi i parë dhe, deri tani, i vetmi në Shqipëri që ofron shërbime terapeutike të asistencës shtëpiake për 72 fëmijë me aftësi të kufizuar, në Librazhd dhe në Dibër.”
Nga plani lokal për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara rezultoi se në Bashkinë Dibër 2472 persona me aftësi të kufizuar marrin pagesën KMCAP, 108 prej tyre janë fëmijë.
1 vit më parë, World Vision filloi në Librazhd zbatimin e programit social për 36 fëmijë me aftësi të kufizuara në zonat e thella të vendit. Përmirësimet shëndetësore janë të dukshme tek çdo fëmijë. Arta ka nisur të ecë, Selma të qendrojë ulur e Flamuri të artikulojë disa fjali të shkurtra.
“Nuk ka gjë më të bukur se kur shikon fëmijën tënd që bën përparime. E shoh që Selma është më mirë, si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht. Shpresoj shumë që të vijojë kështu dhe pse jo, një ditë të ecë…”- tregon Lindita, nëna e Selmës.
Nga studimi i realizuar nga World Vision dhe Save the Children për përhapjen së aftësisë së kufizuar tek fëmijët, rezultoi se 10.4% e fëmijëve të grupmoshës 2-17 vjeç hasin të paktën një vështirësi të lartë për të kryer një aktivitet ose nuk arrijnë ta kryejnë fare atë. Studimi tregoi gjithashtu se vetëm 7.8% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri, kanë marrë shërbime nga qendrat sociale.
BURIMI: Komunikatë për mediat nga World Vision Shqipëri dhe Kosovë