VËZHGIM/
*Nga Sami CURRI
Një nga kryetemat e ditëve të fundit në Bulqizë ka qenë propozimi i deputetit të LSI – së për qarkun Dibër, Përparim Spahiu për statusin e minatorit. Ky i fundit ka deklaruar se ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një nismë të ngjashme me atë që minatorët kanë dërguar në Ministrinë e Energjisë, për përfshirjen e punonjësve të industrisë minerare në një status të veçantë.
Sipas tij nga ky status mund të përfitojnë trajtim të veçantë sa u përket pagave, pensioneve apo trajtimit mjekësor, falas, rreth 8.000 minatorë dhe ish-minatorë në pension. Por që kjo, sipas tij mund të jetë një faturë e rëndë financiare për shtetin.
Dhe kur bie fjala për ekonominë, Z. Spahiu si një ekonomist, me lapsin e tij të mprehur mirë di ti bëjë llogaritë.
Por që kjo lëvizje e tij vjen vetëm pak muaj nga mbarimi i kësaj legjislature të Kuvendit dhe që një temë të tillë Z. Spahiu nuk e kishte prekur përgjatë katër viteve si deputet.
Për këtë bulqizaime.al ju drejtua edhe deputetit të Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës, ish- ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për të mësuar diçka më shumë dhe qëndrimit që do mbaj PS-te për këtë propozim të deputetit Spahiu.
Pyetjet që bulqizaime.al drejtoi ndaj zotit Cani kishin të bënin me:
Nëse Partia Socialiste do ta mbështeste një projektligj të tillë; Sa ishin shancet për t’u miratuar në Kuvend dhe pse një nisëm e tillë, për statusin e minatorit, ndryshe nga sa ka ndodhur me atë të naftëtarit, nuk është ndërmarrë më parë, sidomos nga PS-e që e kishte edhe premtim elektoral?
Në përgjigjen e tij Z. Cani deklaroi se draft – ligjin e ka dërguar para një muaji në Ministrinë e Punës dhe se nuk do ketë ndonjë arsye kundërshtimi për propozimin e deputetit të LSI-së. Sipas tij, duket e vështirë që statusi i minatorit të miratohet këtë legjislaturë të Kuvendit.
Përgjigjia e plotë e tij:
“E kam mbështetur këtë nismë dhe para një muaji e kam dërguar në Ministrinë e Punës… draft ligjin. Kam qenë disa herë në kontakt me përfaqësues shoqatash e sindikatash të interesuara për këtë çështje dy-tre muajt e fundit. Kam komunikuar dhe me deputetin Spahiu po ashtu. Nuk shoh ndonjë arsye kundërshtimi nga asnjë palë.
Nga sa kam komunikuar duket e vështirë të miratohet këtë legjislaturë pasi këto lloj projektligjesh kalojnë ciklin në ministritë e interesuara paraprakisht e më pas miratohen nga Qeveria, e ndjekin procedurën normale të parlamentit.
Pjesa kryesore dhe më e rëndësishme (dhe me me kosto) e ligjeve për statusin ka lidhje me çështjen e pensionit. Këtë në e zgjidhëm, ka mbi një vit dhe ka kohë që ka filluar zbatimi. Pra ishim të avancuar krahasuar me naftëtarët.”
Deputeti Cani është kujtuar në muajt e fundit që ta parqes draft – ligjin për statusin e minatorit, a thua se këtë gjë nuk mund ta bënte muaj më parë.
Për këtë, bulqizaime.al pak ditë më parë ju drejtua edhe deputetit të djathtë për Dibrën, Roland Keta. Ky i fundit deklaroi se do të mbështeste çdo propozim për statusin e minatorit. Por që kjo lëvizje e deputetit Spahiu vinte për shkak të afrimit të datës së zgjedhjeve. Sipas deputetit Keta, Spahiu në katër vite nuk e ka prekur asnjëherë çështjen e statusit të minatorit në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputetët dibran janë me një mendje ku bie fjala për statusin e Minatorit, por që në katër vite kanë punuar shumë pak, të mos themi aspak. Duke e bërë në këtë formë status nëpër letra dhe aq më shumë “status nëpër rrjete sociale” dhe takime, jo realitet. Për këtë minatorët dhe punëtorët e minierës së Bulqizës, do vazhdojnë të dëgjojnë për statusin e minatorit dhe të bëhen pjesë e shfaqjes me shumë seri të politikës. Që për kredenciale të saj do vazhdojnë ta përdorin sa herë që t’ju jepet rasti.
/bulqizaime.al/