Sprova e ish-emigrantit hap perspektivën e bimëve medicinale në Dibër

887
Zija Keshi duke mbledhur aronin. Foto: Sami Curri/ BIRN

Kur Zija Keshi vendosi të kultivonte aronia-një frut i ngjashëm me boronicën, me paratë e kursyera nga puna si bojaxhi në Itali, shumë fqinjë të tij në Maqellarë të Dibrës menduan se ai nuk ishte mirë nga mendja.

“Filluan të thonë: filani qenka çmendur. E prishi grurin dhe ka mbjellë ferra,” tregon me humor Keshi për BIRN.

Megjithatë, bima që nuk ishte kultivuar më herët në zonë dha fryte. Fermeri thotë se është i kënaqur me atë që fiton, ndërsa kështu vendosi në punë tokat e lëna djerr për vite me radhë në Maqellarë të Dibrës. “Vjet nxorra 12 kuintal aronia dhe e shita prodhimin brenda një kohe të shkurtër”, thotë ai.

Bimët medicinale janë një nga eksportet në rritje të Shqipërisë, por biznesi i tyre është fokusuar kryesisht në mbledhjen e varieteteve të egra dhe më pak në kultivim, i cili kërkon investime dhe njohuri. Fermerët si Zija Keshi e pranojnë se banorët e tjerë nuk kanë informacion për të ditur se çfarë mund të prodhojnë dhe se eksperimentet e tyre mund të dështojnë dhe t’i falimentojnë.

“Ne jemi fermerë, nuk kemi informacion për kultivimin e bimëve medicinale. Ne nuk kemi specialistë që të na japin një drejtim përsa i përket kultivimit dhe trajtimit të bimëve medicinale. Ky është problemi i parë, A-ja e një pune të tillë”, thotë ai.

Shiko gjithashtu: Tradita e mbjelljes së shafranit vendos rrënjë në Dumre

Keshi tha se megjithëse kishte vendosur të harxhonte kursimet,  fillimi ishte një aventurë që mund të kishte shkuar keq, ashtu siç dyshonin bashkëfshatarët e tij. “Ishte momenti më i vështirë sepse je në stres, unë kam hedhur gjithë ato para dhe nuk e dinim se si do të shkonte puna,” shton ai.

Aronia e thare. Foto: Sami Curri

Ai tregon se kishte dëgjuar për bimët medicinale dhe se idenë për të kultivuar aronia e mori nga një profesor agronomie në Shkodër. “Profesor Kostandin Hajkola, që punonte tek Laboratori i Drejtorisë së Bujqësisë në Shkodër më foli për mundësitë që ofrojnë kultivimi i bimëve medicinale dhe konkretisht aronia, për të cilën në Shqipëri nuk kishte asnjë plantacion,” shton Zijai.

Tani gjërat kanë shkuar mirë. Ky është viti i dytë i prodhimit për të dhe fermeri shprehet i kënaqur me prodhimin dhe pret më shumë në të ardhmen.

Maqellara, si njësi administrative e Dibrës është një zonë që kryesisht për burim të ardhurash ka bujqësinë, por shumë pak e orientuar nga kultivimi i bimëve medicinale edhe pse specialistët thonë se është e përshtatshme.

Rexhep Ndreu nga Federata e Pyjeve dhe Kullotave Komunale thotë se një drejtim i tillë kah bimët medicinale është shumë i rëndësishmëm për fermerët e Dibrës. “Ne në fakt jemi munduar që të japim eksperiencën tonë në këtë drejtim dhe t’i ndihmojmë sadopak. Rasti i Zijait është një shembull shumë i mirë edhe për të tjerët në zonë,” tha Ndreu për BIRN.

Suksesi i provës e parë e ka shtyrë Keshin drejt një tjetër eksperimenti. Tani ai po kultivon edhe një frut me origjinë nga kina “Gojiberry”.  Asnjë nga dy frutat nuk është kultivuar më herët në Shqipëri, megjithatë me një kërkim të shkurtër në internet gjen se ato janë ndër bimët e konsideruara “çudibërëse”, megjithëse vetitë e pretenduara të tyre janë të debatueshme dhe jo të provuara shkencërisht.

Në një artikull rreth “superfrutave”, e përditshmja britanike “The Guardian” shkruan se përndryshe nga sa pretendohet “Gojiberry” është po aq i mirë sa çdo frut tjetër.

Aronia është një frut që nga pamja i ngjan boronicës. Kokrrat e freskëta të aronias përdoren kryesisht në Europën Qendrore për përgatitjen e lëngjeve të ndryshmeve, shurupit, reçelit dhe verës. Aktualisht në treg mund të gjenden të freskëta me një çmim deri në 700 lekë për kg dhe 1700 lekë kg i aronias së tharë.

Ndërsa “Gojiberry” vjen nga Kina dhe ka pamjen e ngjyrën e frutit të thanës dhe përdoret po ashtu në industrinë ushqimore dhe në atë farmaceutike. Është një bimë jo shumë e lartë dhe që prodhon fruta të kuqe, duke filluar nga muaji korrik jep frutat e para dhe deri në janar, pa u ndikuar aspak nga kushtet klimaterike. Zijai sot është i çertifikuar si personi i parë në Shqipëri si prodhues dhe kultivues i këtij fruti.

Zona ka plot toka të lëna djerr dhe për Keshin, i cili ka tashmë ambicie në këtë fushë kjo krahinë duhet të investohet në këtë drejtim pasi është një mundësi fitimprurëse. “Unë ju kam bërë thirrje edhe bashkëfshatarëve të mi që mos i lënë tokat djerr dhe të humbasin, por të kultivojnë aronia, sepse në zonat e tjera të Shqipërisë nuk e kultivojnë një bimë të tillë dhe kemi mundësinë më të mirë për të krijuar kooperativat dhe kështu më të lehtë për të hyrë në tregun ndërkombëtar”, thotë ai.

Aronia në fazë lulëzimi, në pranverë. Foto: Sami Curri/ BIRN
Zija Keshi. Foto: Sami Curri/ BIRN

Autor: Sami Curri  BIRN