Spitalit të Bulqizës i shtohen dy mjekë specialist

2000
Spitali i Bulqizës. Foto: bulqizaime.al

Spitalit të Bulqizës i janë shtuar edhe dy mjekë specialist, konkretisht Blerina Zhuka, mjeke Obstetër – Gjinekolog dhe Jonida Klosi, mjeke Interne.

Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella deklaroi se me afrimin e këtyre dy mjekëve, qytetarët do të kenë mundësinë të marrin këto dy shërbime në Spitalin e Bulqizës, pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt Peshkopisë apo Tiranës.

“Prej gati një muaj stafit tonë mjekësor në Spitalin e Bulqizës, i janë shtuar edhe dy mjekë specialist; Obstetër – Gjinekolog dhe mjekja tjetër me specializim në mjekësi interne. Ardhja e dy mjekeve, bën të mundur shtimin e shërbimeve të ofruara në Spitalin e Bulqizës”, deklaroi Jella për mediat lokale.

Mungesa e mjekëve specialist në Spitalin e Bulqizës, ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm; mungesa e mjekut kirurg, ku shumë të aksidentuar në sektorin minerar janë dërguar në Peshkopi ose Tiranë për të marrë shërbimin.

Sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Ogerta Manastirliu, pritet që këtë vit ti jepet zgjidhje mungesës së mjekëve specialist në shumë spitale të vendit, me diplomimin e 300 mjekëve të parë specialist që më pas do të shpërndahen në të gjithë spitalet rajonale dhe ato bashkiake.

/bulqizaime.al/