Spahiu, fletët e votimit mbahen në zyrat e PS Bulqizë. Reagimi: “Dezinformim, synon dëmtimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”

1087

Përmes një njoftimi për shtyp, PS Bulqizë ka reaguar ndaj postimit të z.Spahiu, sipas të cilit fletët e votimit nuk mbahen në KZAZ, por në zyrat e partisë në qytet.

“Të shqetësuar për mesazhin e publikur nga ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Përparim Spahiu, se fletët e votimit po mbahen në zyrat e Partisë Socialiste, dega Bulqizë dhe jo në mjediset e KZAZ-së, informojmë opinionin publik dhe të gjithë autoritetet shtetërore se ky është një dezinformim, i cili synon dëmtimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.” – thuhet në njoftimin për shtyp të PS Bulqizë.

Mëngjesin e së shtunës, ish-deputeti i LSI do të deklaronte se fletët e votimit nuk janë në KZAZ-në 18, por në zyrat e Partisë Socialiste.

“Shkelje flagrante e kodit zgjedhor në Bulqizë. Fletët e votimit nuk janë në KZAZ por në zyrat e Partisë Socialiste, fakt që vërtetohet nga dy fotot e para gjatë ngarkimit sot në mëngjes. Në foton e tretë makinat janë në pritje për tu shpërndarë në qëndrat e votimeve. Mbase ky denoncim vlen për vëzhgues të ndryshëm ndërkombëtarë pasi ne kombëtarët e kemi shumë të qartë që këto janë zgjedhje moniste dhe pa asnjë vlerë ligjore por dhe morale.” Shkruan Spahiu në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Më poshtë, reagimi plotë i PS, dega Bulqizë:

Reagim ndaj publikimit të rremë nga z.Përparim Spahiu

Pa dashur të cenojmë heshtjen zgjedhore të së dielës, më 30 qershor, si dhe në respekt të detyrimeve ligjore dhe morale që kemi përgjatë këtyre dy ditëve, për të mos publikuar asnjë mesazh orientues për  votuesit e Bashkisë tonë rreth këtij procesi, jemi të detyruar të sqarojmë opinionin publik rreth një publikimi të rremë dhe dashakeq që përfaqësues të opozitës kanë shpërndarë përmes rrjeteve sociale, duke synuar dëmtimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Të shqetësuar për mesazhin e publikur nga ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Përparim Spahiu, se fletët e votimit po mbahen në zyrat e Partisë Socialiste, dega Bulqizë, dhe jo në mjediset e KZAZ, informojmë opinionin publik dhe të gjithë autoritetet shtetërore se ky është një dezinformim, i cili synon dëmtimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Bëjmë me dije se automjetet e treguara sikur brenda tyre mbahen fletët e votimit janë një mashtrim që bëhet nga z.Spahiu. Lidhur me këtë gjë, ftojmë të gjitha autoritetet ligjzbatuese që të bëjnë verifikimet e nevojshme dhe të qartësojnë opinionin publik rreth së vërtetës në lidhje me këtë denoncim të rremë.

Në respekt të votës së lirë dhe të çdo qytetari që nesër do t`i drejtohet kutive të votimit, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë maturi dhe përgjegjshmëri në mesazhet e tyre publike që të mos dëmtojnë procesin zgjedhor.