Skandali: Ligji i importit të plehrave do të miratohet këtë javë, në shkelje të ligjit

369

Duket se në ditët e fundit të mandatit të Kuvendit të tanishëm, Kryeministri Edi Rama do të ligjërojë importin e plehrave në Shqipëri.

Gramoz Ruçi, kryetari i grupit socialist në Kuvend, në mbledhjen e ditës së hënë të grupit socialsit ka informuar deputetët se:

“Ditën e enjte kemi… një seancë të ngjeshur. Do të kemi dhe një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve dhe dua që disa ligje të rëndësishme t’i fusim në kalendar për t’i miratuar brenda këtij sesioni. E kam fjalën për ligjin e përpunimit të mbetjeve të ngurta në Vlorë e po ashtu edhe për importimin e mbetjeve.”

Duke përfituar nga gjendja politike në vend, kur vëmendja e publikut është e përqëndruar tek kriza politike dhe zgjidhja e saj, Kryeministri Rama do të kalojë ligjin më të përfolur dhe më të kundërshtuar të qeverisjes së tij.

Ky zhvillim është një goditje për të gjithë aktivistët dhe qytetarët që menduan se përpjekjet e tyre arritën ta shmangin miratimin e një ligji që mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin dhe jetën e njerëzve, duke e kthyer vendin në depo të plehrave të vendeve të tjera.

Vendimi i shumicës socialiste është edhe më shqetësues pasi rishqyrtimi i ligjit tani mund të jetë shkelje ligjore.

Ligji për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016.

Që nga ajo kohë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat dhe afatet e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit për ridiskutimin e dekretit.

Sipas nenit 86 të Rregullores, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit duhet të kthejë pëgjigje brenda 8 javëve.

Presidenti Nishani e ka kthyer më 14 tetor 2016 ligjin për lejimin e importimit të mbetjeve në vend në Kuvend dhe afati prej 8 javësh tashmë ka kaluar.

Shkelja e nenit 86 të Rregullores së Kuvendit është shkelje e proceduriale dhe thelbësore e Kushtutës. Sepse neni 86 është i lidhur me nenet 76, 81, 82, 83, 84, 85, 86 të Kushtetutës.

Kjo do të thotë se ligji i kthyer nuk mund të miratohet duke rrëzuar dekretin e Kuvendit, por duke u futur në Kuvend si një projekligj i ri.

Nëse Kuvendi miraton ligjin në shkelje të këtyre afateve, mbetet vetëm që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kushtetueshmërinë e miratimit të tij.

/exit.al/