***Nga Xhuliana Jakimi
“S’je më ime bijë”, kështu i tha zonja Muzie Rovenës, kur zbuloi se e bija është në një lidhje me një djalë italian. Rovi është vajza 23-vjeçare nga Dibra. Në moshën 8-vjeçare nisi një jetë të re bashkë me familjen në Modena të Italisë, por që traditat shqiptare i ndjekin edhe sot. Mentaliteti dibran u bë pengesë në lidhjen e të rinjve, që për një vit nuk u pranua nga familja.
“S’kishte çuna të tjerë? Si do shkojmë ne në Shqipëri. Çfarë do thonë njerëzit?! S’je më ime bijë”, këto janë disa nga fjalët e së ëmës që Rovi i ka ngulitur në kokë kur zonja Muzie zbuloi lidhjen e saj. Lidhja s’u prit mirë nga familja e Rovit. Kjo për shkak se Françesko nuk ishte shqiptar dhe jo i besimit islam.
“Dashuro pavarësisht rrethanave”, është mesazhi që çifti jep për të dashuruarit këtë “Shën Valentin”.
Intervista me Rovena Manin dhe Françesko Lauriola:
Si u njohët?
Rovi: Njohja jonë ka qenë rastësore. Teksa Françesko po kryente praktikën në universitetin tim, (stomatologji), më tërhoqi vëmendjen për kujdesin që tregonte dhe për paraqitjen. Po e shihja dhe njëkohësisht po i buzëqeshja…. Dhe reagimi i tij ishte reciprok. Pastaj u prezantuam, filluam të dilnim me njëri-tjetrin, të njheshim.
Françesko:
Nuk e dija në ishte diçka e mirë apo e keqe, por më pëlqente buzëqeshja e saj. Kur një person qesh shumë, shpeshherë thonë se buzëqeshja është në mendjen e budallenjve. Por kur e njoha kuptova që Rovi gëzonte vlerat që shumë vajza italiane i kanë humbur, kultin e familjes. Pastaj kur e njoha kuptova që buzëqeshja ishte pjesë e karakterit të saj dhe jo se ishte idiote (qesh)
Kur e zbuloi familja lidhjen tuaj si reagoi?
Rovi: Familja e mori vesh në një moment jo të duhur. Një mbrëmje, ashtu siç bënte zakonisht Françesko më përcolli deri poshtë pallatit. Teksa po më jepte puthjen e mbrëmjes, mami na pa. Kur u ngjita sipër nisi të më kërkonte llogari… por pasi i tregova reagoi shumë më keq.
“S’je më ime bijë”,-më tha. “S’do kem fytyrë me u dal para familjarëve të mi…si do e çoj në Shqipëri…”, po më thoshte e acaruar. Patëm debate të shumta në familje, dhe ishe mami ajo që e mohonte kategorikisht lidhjen tonë. Me Françeskon sillej shumë keq. Edhe pas disa muajsh kur i thamë që do e zyrtarizonim lidhjen, që të njiheshin familjet, ajo nuk pranoi. “Kurrë”, më thoshte.
Ndërsa unë shkoja në shtëpinë e Françeskos në Pulia. Janë familje e mrekullueshme, shumë të dashur. E respektojnë njëri-tjetrin dhe kanë pothuajse të njëjtat tradita si ne.
Në ç’moment u bind mami për ta pranuar Françeskon si dhëndër?
Rovi: “Unë me bukë e ti me gur”, i thonë. Falë durimit të Françeskos, pas një viti, pasi e kuptoi që ne ishim bërë për njëri-tjetrin. Ishte zgjedhja ime dhe duhej ta kuptonte.
E mendon ndonjëherë kthimin në Shqipëri?
Rovi: Jo! Asnjëherë… Tashmë unë kam punën time në Itali (stomatologe), po rritem dalëngadalë profesonalisht. Nuk e mendoj të ndërtoj edhe njëherë jetën nga e para në Shqipëri. Nuk pështatem dot.
Pas 4 vitesh njohje si ka evoluar lidhja juaj? Do ndryshonit diçka nëse do ktheheshit pas?
Francesko: Kanë kaluar 4 vite dhe kam menduar për diçka më shumë. Megjithatë ne shpeshherë i shohim gjërat në këndvështrime të ndryshme dhe kemi përplasje. Unë jam më i qetë, dua t’i marr gjërat serizosht e ngadalë. Rovi është më impulsive… Megjithatë edhe nëse do të kthehesha pas nuk do të ndyshonte asgjë.
Françesko, për çfarë keni studiuar dhe ku punoni aktualisht?
Françesko: Jam diplomuar për elektronikë. Kam punuar në fabrikë, siç bëjnë shumica e të rinjve në Itali të këtij profesioni. Duke qenë se është diçka mekanike, është shumë e lodhshme. Pastaj nisa të mendoj diçka tjetër… Mua fotografia më ka pëlqyer gjithmonë. Ndaj vendosa që t’i futem artit të fotografisë. Një arsye më shumë ishin dhe udhëtimet e mia të shumta. Me kursimet e mia bleva pajisjet që më duheshin dhe nisa t’i përdor. Hodha një hap shumë të vështirë. Lashë një punë të sigurtë për t’iu dedikuar pasionit tim.
Puna e parë si fotograf me pagesë ishte martesa e një miku tim. Rovi më shoqëronte në çdo martesë që bënte. Në eksperiencat e mia të para ishte gjithmonë pranë meje.
Më fol pak më shumë për udhëtimet e tua, për videot që realizon?
Gjatë gjithë kohës kur unë filmoj, flas në video, përshkruaj atë që shoh. Pastaj kur bëj montazhin, i dëgjoj me vëmendje, i zbardh dhe i rrëfej.
Ç’mendon për shqiptarët?
Françsko: Në Itali janë shumë sterotipe për shqiptarët, se janë hajdutë, kriminelë, trafikantë. Por kur e prek realitetin, sheh përtej sterotipeve të krijuara.
Kur ishim në Sarandë këtë verë, ne na duhej një numër celulari shqiptar. Pasi e pyetëm, një zotëri i moshuar na shoqëroi në këmbë për disa minuta deri te dyqani i kompanisë celulare. Ne nuk kishim pasaportë me vete, dhe zotëria u tregua i gatshëm që me mjetin e tij identifikues të merrte numrin për ne. Mbetëm të befasuar nga gjesti. Një tjetër ngjarje që më është ngulitur teksa udhëtonim nga Saranda në Vlorë. Kishim në furgon një person që kishte qenë për vite në burg dhe ishte shumë i lumtur. “Po shoh dritën e diellit”,-na thoshte. Gjatë ndalesës, u ulëm në lokal dhe na qerasi pse kishte dalë nga burgu. Ai e pa që ne ishim të huaj në Jug dhe pa shkuar akoma në shtëpinë e tij, kontaktoi një të njohur dhe na siguroi hotel.
Çfarë të ka bërë përshtypje në Shqipëri?
Më pëlqejnë vlerat që familjet shqiptare i trashëgojnë. Në familjet shqiptare, flas për ata që unë kam patur mundësinë të takoj, janë shumë të bashkuar. Italianët janë më të ftohtë.
S’më pëlqen as fakti që në zonat e veriut, burrat janë shumë më dominantë se gratë. Nuk më pëlqen fakti që në Shqipëri abuzojnë me kafshët. Nga veriu në jug kam parë kafshë të keqtrajtuara. Kujtoj arinjtë e lidhur me litar. Restorantet me kafshë të lidhura vetëm e vetëm për të kënaqur fëmijët.
Një mesazh për të dashuruarit?
Dashuroni pavarësisht rrethanave. Veç dashuria thyen çdo pengesë.
***Në videon e mëposhtme, pas minutës së 24 mund të shikoni udhëtimin e çiftit në Bulqizë.
SHËNIM: Kjo intervistë është botuar dhe realizuar për portalin politiko.al.