Situata e mbetjeve urbane në Krastë të njësisë administrative Martanesh, të bashkisë Bulqizë është alarmante. Mbeturinat kanë pushtuar qytezën, pasi ka disa javë që ato nuk pastrohen. Në këto kushte mbeturinat janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Krastës, duke u kthyer në një burim infeksioni për banorët, sidomos në këto ditë të nxehta që kanë përfshirë vendin.
Afrimja, banore e Krastës pyetur nga bulqizaime.al, tregon se këto mbetje kanë javë që nuk pastrohen: “Më keq se jemi me mbeturinat nuk ka ku shkon. Ka disa javë që janë bërë grumbull, tani janë shpërndarë edhe rreth e rrotull. Ere e keq po. Ku në këto ditë të nxehtë, këto janë burim infeksioni, më shumë për fëmijët sepse ata lëvizin rrugëve, afër mbeturinave”.
Mbetjet janë bërë një burim ushqimi edhe për qentë endacak të Krastës, duke u kthyer në një tjetër problem për këta banorë. Dhjetra qenë lëvizin nëpër Krastë, duke vënë në rrezik banorët nga ndonjë kafshim prej tyre, pasi grumbullohen tek mbetjet.
“Halli tjetër janë qentë endacak. Shifi se sa qenë janë, po të gjetën në rrugë të shqyejnë. Para tre ditësh e kafshuan një burrë. Kemi frikë të dalim në rrugë. Zot na ruaj. Po të të vërsulet një qen, ke me dhjetra të tjerë që të vijnë. Qentë rrinë tek mbetjet që janë përhapur në të gjithë vendin” – rrëfen për bulqizaime.al Afrimja.
Por përballë një situate të tillë, nga bashkia Bulqizë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, për gjetjen e një mënyre për largimin e këtyre qenëve që janë një kërcënim serioz për këta banorë. Ndërsa nga njësia administrative Martanesh, rezervohen të flasin për mediat, pasi më parë duhet të merret leje nga bashkia.
Informacionin për gjendjen e mbetjeve urbane në Krastë të Martaneshit, bulqizaime.al ja ka nisur edhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, me shpresën që të merren masa sa më shpejt.
/bulqizaime.al/