Shtatorja e Elez Isufit do vendoset në Dibër të Madhe

Vendimi i Këshilli Komunal në Dibër të Madhe për të vendosur shtatore e "Gjeneralit me shajak" sjell reagimin e piktorit të njohur Zaim Elezi: "Shtatorja ka probleme me vizatimin, plastikën, modelimin dhe ajo që nuk tolerohet është kompozimi shumë i konsumuar, i parë dhe stërparë".

1236
Skica e hedhur për publikun e shtatores së Elez Isufit në Dibër të madhe.

Këshilli Komunal i Dibrës së Madhe ka miratuar sot njëzëri vendosjen e shtatores së Elez Isufit në qytet. Ky vendim është pritur mirë nga komuniteti, por skicat e hedhura për publikun kanë sjellë reagimin e artistëve.

Zaim Elezi, piktori i njohur nga Dibra, një nga më të mirët sot në artin figurativ shqiptar, ka shprehur kritika ndaj bocetit të publikuar.

Sipas Elezit, boceti i publikuar “ka probleme me vizatimin, plastikën, modelimin dhe ajo që nuk tolerohet është kompozimi shumë i konsumuar, i parë dhe stërparë”.

Në një reagim në profilin e tij publik në Facebook, mjeshtri dibran i pikturës fton kolegët e tij që të reagojnë për rastin, të japin mendime dhe të ndihmojnë kështu në realizimin e një vepre skulpturore në nivel të lartë artistik.

“Po postoj reagimin tim, me dëshirën e mirë që artistët, miqtë e mi, të shprehen për këtë shtatore. Mendimet tuaja të vyera do të shërbenin që të mos viheshin shtatore pa vlera në mjediset tona publike, ashtu siç ka ndodhur deri më sot.”

“Me përulje dua t’ju falënderoj dhe t’ju them ju lumtë për iniciativën për të vendosur shtatoren e Elez Isufit në mjediset publike të qytetit të Dibrës së Madhe! Po me të njëjtin respekt, po ashtu, me duhet të guxoj të shprehem se nuk jam dakord për figurën që keni publikuar. Nuk ka as edhe një rëndësi se kush është autori, (edhe pse nuk e di), por duhet të shprehem se shtatorja që shoh ka probleme jo të vogla. E para, ka probleme me vizatimin, plastikën, modelimin dhe ajo që nuk tolerohet është kompozimi shumë i konsumuar, i parë dhe stërparë. Isha i drejtpërdrejt, pasi nuk më falet që të mos shprehem publikisht për atë që mendoj edhe për Dibrën time të dashur. Jam vetofruar pa asnjë lloj shpërblimi, për të hartuar gjithë procedurën dhe mbështetur me emra artistësh të mirë e shumë të mirë, që kjo të ishte një shtatore me vlera të larta skulpturore dhe artistike, siç Dibra e meriton” – shkruan piktori Zaim Elezi në reagimin e tij, postuar edhe si koment në statusin e publikuar nga Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit Komunal të Dibrës.

Piktori Zaim Elezi, i tha gazetës “Rruga e Arbërit” përmes një bisede telefonike, se “reagimi i tij vjen prej ndërgjegjes së tij artistike, për respekt jo vetëm të Dibrës, por edhe figurës së Elez Isufit, e cila zë një vend të rëndësishëm në historinë tonë kombëtare. Ndaj realizimi i shtatores së Elez Isufit, duhet të realizohet përmes një procesi transparent e mbarë kombëtar, jo i parë ngushtë në hapësirën lokale të vendimmarrjes dhe realizimit. Për këtë duhet shpallur një konkurs mbarë kombëtar dhe një komision artistik duhet të vendosë për bocetin përfundimtar. Deri më tani nuk ka as ftesë publike dhe as transparencë se kush është në komision”.

Vitet e fundit, shumë buste dhe vepra të tjera artistike e monumentale kanë zënë hapësirë në sheshet publikë të Peshkopisë dhe Dibrës së Madhe. Por ato, në të shumtën e rasteve janë vendosur jo vetëm në mjedise të papërshtatshme, por edhe të realizuara keq artistikisht. Kështu që një debat paraprak mbi këto monumente janë në dobi të publikut dhe komunitetit në këto qytete.