E diela është dita e fundit e Ilir Metës si President i Republikës së Shqipërisë. Mandati i tij pesëvjeçar mbaron më 24 korrik.
Ish-ushtaraku, Bajram Begaj do të marrë detyrën si kreu i ri i shtetit. Begaj, i cili është votuar vetëm nga mazhoranca do të betohet në Kuvend, në një seancë të posaçme këtë të dielë.
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në orën 18:00 dhe Begaj, sipas procedurës do të betohet me dorën mbi Kushtetutë. Më pas ai do të drejtohet drejt Presidencës, ku Meta do t’ia dorëzojë detyrën përmes ceremonisë zyrtare.
Në seancën parlamentare të 4 qershorit të këtij viti, Begaj u zgjodh president i ri i Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
Nder dhe privilegj të jashtëzakonshëm e ka konsideruar Ilir Meta detyrën 5-vjeçare të kreut të shtetit. Në ditën e fundit si President i vendit, Ilir Meta i është drejtuar qytetarëve me një mesazh në Facebook, ku uron më të mirën për kombin dhe për shqiptarët paqe dhe mbarësi.
“Ishte një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja këto pesë vite si President i Republikës të Shqipërisë. Uroj për atdheun dhe kombin tonë më të mirën! Paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shkruan Meta në Facebook, krahas fotos me fëmijët e tij.
Kush është Bajram Begaj:
Bajram Begaj, i cili u përzgjodh nga mazhoranca socialiste si kandidati i vetem për President i Republikës për t’u votuar për këtë post, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998. Ai gjithashtu ka përfunduar ‘Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë’, ndërsa mban edhe titullin ‘Profesor i Asociuar’ në Mjekësi.
Gjatë karrierës 31 vjeçare ushtarake ka kryer: Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.
Begaj ka mbajtur postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.