Shpërthimi në galeritë e kromit në Klos, shkak: kontakti i grupit të minatorëve me një minë të paplasur

634
Minatorë të minierës së Bulqizës, duke punuar në galeri. Foto: Gj.Erebara, Arkiv

Autor: Vladimir Karaj  BIRN

Policia fajëson shpërthimin e një mine të paplasur për plagosjen e pesë minatorëve në një prej galerive të AlbChrome në Shëngjun të Klosit. Kompania  thotë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa tre prej tyre u trasferuan në Tiranë për mjekim të specializuar.

Pesë minatorë janë plagosur, pas shpërthimit të një mine  në një prej galerive të nxjerrjes së kromit në Shëngjun të Klosit.

Policia e Dibrës në një njoiftim për shtyp bëri me dije se ngjarja ndodhi në orën 1.00 pas mesnatës në një prej galerive të kompanisë AlbChrome. Sipas policisë nga shpërthimi janë plagosur rëndë dhe dërguar për ndihmë të specializuar në Tiranë: “Q.L, 49 vjeç, SH.L, 32 vjeç dhe R.S,  57 vjeç”. Ndërkohë dy minatorë të tjerë: “K.M, 31 vjeç, B.H, 28  vjeç, po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit dhe  ndodhen jashtë rrezikut për jetën”.

Policia njoftoi se shkak i aksidentit kishte qenë kontakti i grupit të minatorëve të turnit të tretë me një minë të paplasur.  “Grupi i punëtorëve i ndërtimit të minierës  në tranverbangun e minierës gjatë punës,  dy prej tyre kanë rënë në kontakt me një minë të pa plasur, e cila  ka shpërthyer  dhe  për pasojë janë dëmtuar edhe tre punëtorët e tjerë që ndodheshin në këtë front”, njoftoi policia.

Emin Shini, një prej drejtuesve të AlbChrome i tha BIRN se paraprakisht mund të thuhej vetëm se pesë të plagosurit kishin shkuar të kontrollonin ballin e galerisë pas një shpërthimi të komanduar dhe një nga minat që nuk kishte shpërthyer në fillim ka plasur në momentin e kontrollit. “Megjithatë duhet të pritet analiza”, tha Shini, sipas të cilit asnjë nga minatorët e plagosur nuk rrezikonte jetën.

Siguria në minierat e nxjerrjes së kromit mbetet shqetësuese. Pesë minatorë humbën jetën vitin e kaluar në tre aksidente të ndryshme në galeritë e kontrolluara nga Albchrome dhe kompania Brisel. Ndërkohë një investigim i BIRN në Janar, gjeti se autoritetet për sigurinë dhe emergjencat në miniera rëndom fajsojnë viktimat për aksidentet dhe nuk i mbajnë kompanitë shfrytëzuese të kromit përgjegjëse.