Gati 72 orë pasi ishin arrestuar pas hedhjes së fletushkave me përmbajtjen “Samir Mane shtyp minatorët” në qendrën tregtare TEG, tre aktivisë të Organizatës Politike dolën nga dyert e Komisariatit Nr.1 të policisë, ku i prisnin dhjetra kolegë aktivistë dhe tre prej minatorëve të shkarkuar nga Albchrome.
Aktivistët, Bislim Lakna, Frenkli Elini dhe Enriko Peçuli, u lanë të lirë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë të hënën. Gjykata vendosi të konsiderojë të ligjshëm arrestimin për akuzën e “prishjes së qetësisë publike” dhe vendosi masë sigurie “detyrim paraqitjeje”, ashtu siç u kërkua nga prokurori Arjan Përmeti.
Ndërkohë Prokurori Përmeti u tërhoq nga një prej veprave penale të referuara nga policia lidhur me veprimet e kryera nga tre të rinjtë, atë të “përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”.
Mbrojtësi ligjor i tre studentëve, avokati Klaudi Zholi i kërkoi gjykatës që ta vlerësojë të paligjshëm arrestimin e tyre dhe që të mos e pranojë kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së sigurisë “detyrim për tu paraqitur”.
Gjyqtari Ahmet Metaliaj vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Përmeti duke vlerësuar të ligjshëm arrestimin e kryer nga policia në kushtet e flagrancës.
Aktivistët thanë se do ta apelonin vendimin. “E gjykojmë komplet të padrejtë edhe shoqërimin edhe arrestimin edhe vendimin e gjykatës”, tha Bislim Lakna për BIRN pas daljes nga qelia. Lakna tha se ata kishin njoftuar policinë pas dhunës së ushtruar prej punonjësve të sigurisë në TEG dhe nuk e kuptonte se pse kishin përfunduar ata të arrestuar.
Ai tha se ishin qëlluar nga rojet e sigurisë dhe një prej tyre kishte shenja të qarta të dhunës në brinjë dhe gjunjë. “Nga rojet e sigurisë së TEG jemi qëlluar dhe për këtë do të bëjmë kallëzim penal”, tha Lakna.
Qendra TEG mohoi disa ditë më parë që punonjësit e saj të kishin ushtruar dhunë, ndërsa akuzoi aktivistët se kishin kryer “akte dëmtuese”.
Neni 274 i Kodit Penal për të cilin akuzohen aktivistët, përfshin sulm me gurë, të shtënat me arme dhe zhurmat shqetësuese, por pjesë të tij si “çdo lloj tjetër sjelljeje të papëlqyeshme, në rrugë, sheshe e vende publike, që cenojnë dukshëm qetësinë e moralin”, lënë hapësirë për interpretim.
Ndërkohë të hënën i gjithë procesi i caktimit të masës së sigurisë u shoqërua me protestë të aktivistëve të Organizatës Politike, OP, para ambjenteve të Gjykatës së Tiranës dhe më pas në Komisariatin Nr.1. Me pankarta në duar ku shkruhej “Me minatorët” dhe “Samir Mane shtyp minatorët”, nën thirrjet “lironi aktivistët”, ata e konsideruan arrestimin më keq se veprimet që kryheshin ndaj fjalës së lirë në periudhën e diktaturës.
Ata i cilësuan të papranueshme akuzat, ndërsa disa prej tyre bënë paralelizëm të hedhjes së fletushkave në TEG me reklamat që shpërndahen në të njëjtën mënyrë në dyer të shtëpive.
Bashkë me aktivistët protestues ishin edhe 3 minatorë dhe përfaqësues të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, të cilët u shkarkuan nga kompania Albchrome vetëm disa ditë pas njoftimit publik të krijimit të sindikatës.
Kreu i Sindiakatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës Elton Debreshi i pranishëm në protestë tha se kishin arrdhur enkas nga Bulqiza për të mbështetur aktivistët, që i cilësoi heroj. Ai tha se pavarësisht presioneve SMBB do të vijonte punën për të mbrojtur të drejtat e minatorëve.
Aktivistët nga ana e tyre premtuan se nuk do të dorëzoheshin dhe se do të vijonin protestat ndaj kompanisë Albchrome deri sa ajo të kthente në punë minatorët e shkarkuar padrejtësisht. Ata cilësuan kushtet në minierën e Bulqizës të rënda dhe akuzuan kompaninë se po përdorte ndikimin në media dhe qeveri për t’u mbyllur gojën minatorëve.
Aktivistë të Organizatës Politike, OP, u ndaluan të shtunën, fillimisht nga rojet e sigurisë private në qendrën tregtare TEG, pasi hodhën fletushka me përmbajtjen “Samir Mane shtyp minatorët” dhe më pas u shoqëruan nga policia. Ndërsa disa nga të ndaluarit u liruan pas 7 orësh shoqërimi, aktivistët: Frenkli Elini, Enriko Peçuli dhe Bislim Lakna u arrestuan.
Një zëdhënëse e policisë së Tiranës i tha BIRN të shtunën më 28 dhjetor se, ata akuzoheshin për “përhapje të informatave të rreme që ngjallin panik” dhe “prishje të qetësisë publike”, por prokuroria ka vlerësuar së fundmi që t’i procedojë tre aktivistët vetëm për “prishje të qetësisë publike.
Organizata Politike prej javësh ka organizuar protesta publike në kryeyqytet krysisht kundër Samir Manes, zotërues i kompanisë Albchrome, pasi kjo e fundit vendosi të shkarkonte nga puna njëri pas tjetrit 4 prej drejtuesve dhe anëtarëve të këshillit sindikal të SMBB-së. Sindikata dhe aktivistët akuzojnë kompaninë për presion ndaj sindikatës së re dhe përpjekje për të shtypur lëvizjen e minatorëve.
Kompania ka mohuar akuzat dhe pretendon se shkarkimet nuk ishin të lidhura me sindikalizmin, por me shkelje të disiplinës në punë dhe me mungesat e të shkarkuarve. Inspektoriati i Punës njoftoi se kishte nisur një hetim mbi shkarkimet por rezultatet e tij nuk janë bërë ende publike.