Autor: Inxhinier Gjergji Xeka
Shkruar enkas për Bulqiza ime
E fillova punën në Minierën e Bulqizës, me 18 nentor të vitit 1973, si inxhinier miniere, në atë kohë drejtues ishte inxhinier Llambi Gegprifti nga Pogradeci dhe kryeinxhinier, Bujar Pata nga Bulqiza.U caktova për të punuar në zonën qendrore, siç quhej edhe si “Pusin numër 1”. Miniera kishte tre zona kryesore shfrytëzimi: Zonën jugore ose siç quhej zona D, me tre zona të tjera; zona qendrore që kishte katër sektore që quheshin zona e parë, zona e bashkuar, Pusi numër 1 dhe dishenteria. Ishte edhe zona veriore e cila ishte në hapje e sipër me nevelin e parë që ishte gati për shfrytëzim, nivelin e dytë që ishte në pregatitje dhe një nivel i tërë në hapje.
Miniera punonte me tre turne dhe prodhimi për zonën D grumbullohej në trimozhat dhe në pjacale, zona e parë dhe e bashkuar e grumbullonte në trimozhat e kampit, ndërsa Pusi numër 1 dhe dishenteria e nxirnin në galerinë 41. Kromi pasi dilte nga galeria kalonte në impiantet e selesionimit që ishin ndërtuar në zonën D, zonën qendrore dhe në pusin 2. Po kështu minerali që ishte nën 30% CR2O3 dërgohej me trasport me makinë në Fabriken e Pasurimit të Kromit, ku kthehej në koncetrat me mbi 50% CR2O3 mineral kromi.
Në këtë vit punonte Pusi numër 1 dhe 2 dhe dishenteria në zonën qendore. Më vonë, falë punës së pa lodhur të punonjësve dhe grupit drejtues u hapën edhe punime të tjera, si puse ashtu edhe dishenteri. Në këto vite miniera pati një zhvillim të madh në të gjitha drejtimet. Nga viti në vit rritej prodhimi, rritej numuri i punëtorëve, ku në vitin 1981 arriti që në Minierën e Bulqizës të kishte afro 3500 punëtorë. Por në minierën e kromit punonte edhe ndërmarrja gjeologjike, me qëllim gjetjen e vendburimeve të reja. Punonte edhe ndertim miniera, duke hapur punimet kapitale, traverbangjet, puset vertikale dhe dishenteritë, kamerat e sondave te çpimit. Kishte një ndërmarrje që kujdesej për ushqimin e punëtorëve, sepse ishte një punë e vështirë dhe një gjë e tillë ishte shumë e nevojshme. Sot thuajse pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të tilla janë shkrirë dhe vetëm dëgjohen si fjalë në komunitetin e zonës, për të ardhur keq.
Prodhimi rritej çdo vit dhe në vitin 1986-të, mos gaboj, prodhimi arriti në reth 485, 000 mijë ton krom. Miniera çdo vit ecte përpara, si në prodhim ashtu edhe në futjen e teknologjisë së re. Bulqiza ishte një minierë me një personel të kompletuar, që nga drejtuesit madhor dhe deri tek drejtuesit e brigadës. Kishte inxhinierë të zotë nga çdo profilizim si minerar, elektrik, mekanik dhe një staf të mirëorganizuar, të cilët punonin me përkushtim për të realizuar detyrat.
Në qoftë se nuk shkonin punët mirë në Minierën e Bulqizës, shqetësoheshin i madh dhe i vogël sepse duhet të pranohet që Bulqiza, mbante në këmbë tërë ekonominë e Shqipërisë. Kishte periudha që planet e parashikuara nuk realizoheshin, por e them me bindje që një gjë e tillë nuk vinte sepse nuk punonin njerëzit, por sepse plani ishte shumë më i lartë se sa vetë mundesitë e minierës.
Në Bulqizë, miniera filloi në vitin 1948 me 20-30 punëtorë dhe pas 40-vjetësh arriti në më shumë se 3000 puntorë. Në Minieren e Bulqizës kishte edhe specialistë të mesëm të mrekullueshëm, kishte edhe veteranë që e njihnin minierën në pëllëmbë të dorës. Të tillë ishin: Baftjar Fida, Kamber Duriçi, Beqir Zuna, Selim Marku, Haxhi Xhari, Medat Islami, Mexhit Kurti, nga teknikët mund të permend: Arif Jasharin, Agim Myrtellari, Bashkim Cani, Agim Kaçani, Syrja Uka, Mustafa Pata, Bujar Dumani, Mersim Kaja, Asllan Lami, Dulejman Lami, Mersim Kaja. Gjeologët: Mersim Koçeku, Ruzhdi Sejdini, Besnik Strazimiri, teknikët markshejdër: Ismail Kurcani, Mërgim Tançi, Irfan Agolli e shumë e shumë të tjerë që nuk më kujtohen, por që pa punën e tyre nuk do të arrinte Miniera e Bulqizës aty ku ishte. Kam punuar në shumë miniera në Shqipëri, por mund të them se ashtu siç punohej në këtë minierë nuk punohej në asnjë minierë tjetër.
Punëtorët e Bulqizës nuk kishin pretendime, por kishin punë. Për mua Bulqiza ka qenë miniera me potencialin më të madh njerëzor që e kanë treguar veten të aftë për të punuar kudo.
Po si është situata sot?
Jam larguar në vitin 1990-të, më 30 qershor në Korçë. Kam lexuar me shumë interes sa herë flitej dhe shkruhej për Bulqizën, kam dëgjuar, kam edhe biseduar me persona që punojnë atje për gjendjen e sotme të minierës. Nuk më vjen mirë kur dëgjoj keq për minierën dhe akoma me keq për njerëzit që punojnë atje. Më 18 shkurt 1948 në minierë punonin afro 30 puntorë dhe çdo vit u punua maksimalisht për rritjen e saj, deri në vitin 1990-të, dhe sot dëgjoj me keqardhje se në atë pasuri kombëtare nuk punojnë më shumë se 600-700 punëtorë.
Lind pyetja pse?
Unë ndoshta gabohem, por jam kundër privatizimeve në sektor të tillë siç janë minierat, nafta, fabrikat etj etj. Këto janë pasuri e të gjithëve dhe duhet te vihen në dispozicion të njerëzve që punojnë atje në radhë të parë dhe jo të përfitojnë të huajt dhe mafiozët.
Pa më thoni, ku venë fitimet?
Tek punëtorët e thjeshtë jo, në shtet jo, atëherë ku? Në xhepat e të huajve. Unë nuk e kuptoj se si një shtet i tërë nuk i del për zot Bulqizës dhe vjen një firmë e huaj e merr çtë dojë dhe i paguan sa të dojë shtetit. Ne punonim bashkë, kuadro dhe punëtorë dhe kishim mirëkuptim, sot kemi kuadrot përballë punëtorëve, sepse puntori proteston dhe kuadrot jo, duke u bërë palë me shfrytëzuesin.
Gjendja e punëtorëve në Minierën e Bulqizës është për t’u shqetësuar sepse në Bulqizë kanë mbetuar ata që nuk mund të ikin gjetkë, me të ndershmit dhe për ata s’ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse të vuaj në minierë. Ky 70 vjetor e gjen me shumë probleme Minierën e Bulqizës dhe se statusi i minatorit nuk do miratohet, me arsyetimin se fatura financiare e statusit është shumë e madhe për buxhetin. S’ka faturë për mundin dhe gjakun e punëtorëve të Minierës së Bulqizës, që ka qenë shtylla kurrizore e shtetit.
Para se të bëjmë lulishte dhe trotuare, mendoj se duhet të jemi në rregull me puntorët. Ç’kuptim ka rregullimi i rrugëve në Bulqizë, kur siç dëgjoj ka familje që s’kanë me se të marrin kafshatën e bukës për fëmijët!? Ata sakrifikojnë shumë. Mendoni një punëtor që vjen nga fshatrat e Bulqizës, të zgjohet që në pesë të mëngjesit, të hyp në furgon, të shkojë në zonën D apo në nivelin e 17-të, të punojë 8 orë e të kthehet në shtëpi në orën 17, dhe të bëhet gati për punë sërish nesër.
Për këta njerëz duhet menduar mirë n.q.s duam që Miniera e Bulqizës të jetë burim të ardhurash të mira për të jetuar normalisht dhe jo për të marrë bukë me listë. Kam reth 30 vjet që jam larguar nga Miniera e Bulqizës dhe këto që them mund të mos jenë shumë të sakta, por një gjë është e vërtetë, që në atë qytet ka shumë familje që vuajnë. Ata e kanë lidhur jetën e tyre me minierën dhe prandaj duhet te bëhet çdo gjë që atje të shkojnë njerëz për të punuar dhe jo të ikin.
***Rreth autorit
Gjergji Xeka është me profesion inxhinier minierash i dalë në pension. Prej vitit 1973 dhe deri në vitin 1990 ka jetuar në Bulqizë. Ka mbajtur detyra të ndryshme në Minierën e Bulqizës.