Titulli mund të duket ironik. Në fakt ashtu është. Merr shkas nga romani satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit. Thelbi është për të treguar zyrtarët e lartë të cilët janë të prekur nga burokracia e nga detyrat e shumta.
Shumë shkurtimisht, le të bëjmë një përmbledhje shkurt se kush ishte Alla, për ata të cilët e lexojnë dhe mund të dinë pak ose aspak për Bulqizën. Alla ishte me profesion mësues i edukimit fizik, por që shumë pak do ta ushtronte një punë të tillë. Në vitet 2000, pas kthimit nga emigracioni, Alla do të kalonte në biznes.
Ose e thënë më thjeshtë, në tenderat e punëve publike.
Nga viti 2001 dhe për 17 vjet me rradhë, Lefter Alla ka marrë në zotërim dhe drejtuar edhe disa nga kompanitë kryesore në fushën minerare. Pas angazhimeve në nivele të ulta, në janar 2016 Lefter Alla mori drejtimin e Partisë Socialiste në Bulqizë, kohë kur Bashkia drejtohej nga daja i tij, Melaim Damzi. Alla mori besimin e kryeministrit Rama dhe deputetëve të Dibrës që të ishte pikërisht ai që do të garonte në zgjedhjet e 30 qershorit, kohë kur opozita bojkotoi zgjedhjet vendore. Daja i tij, Melaim Damzi, përfaqësues në atë kohë i LSI-së, vendosi të mos kandidojë për një mandat të ri në krye të Bashkisë, duke i hapur rrugë nipit të tij për drejtimin e Bulqizës.
Alla do të vinte me premtimin se do të reformonte administratën e bashkisë dhe qasjen për punët publike. Por në fakt, Alla do të sillte modelin e marrjes së personave që ishin në strukturat e PD-së, në zonën e Bulqizës dhe punësimin në shumicë. Fryrjen e administratës me militant. Propagandë në rrjetet sociale dhe monopolizim të tenderave të bashkisë, tek një grup personash që direkt ose indirekt do të kontrolloheshin prej tij. Në krye të bashkisë Bulqizë, Lefter Alla do të kishte më shumë se 14 milionë euro tenderime për punë publike. Kryesisht në rrugë, kanalizime dhe ujësjellësa. Por cilësia e punimeve në terren është skandaloze, ku shumë prej tyre po degradojnë shumë shpejt. Punë shkel e shko, e propagandë se po bëhej nami me investime.
Marrja e drejtimit të Bashkisë Bulqizë e ekspozoi Allën përballë oponionit publik, kur vetëm 1 muaj pas betimit si kryetar, vëllai i tij Vangjel Alla u përfshi në një plagosje me armë. Ngjarja e ndodhur në 18 shtator të 2019 tronditi Bulqizën, ndërkohë që një ditë më pas Policia e Shtetit arrestoi edhe personat që goditën vëllain e kryebashkiakut.
Por vetëm një muaj më pas kësaj ngjarje, Enio Alla, djali i kryebashkiakut të Bulqizës u arrestua pasi gjatë një kontrolli policor i’u gjet një sasi prej 5.2 gramë lëndë narkotike, kanabis sativa. Sipas Policisë, gjatë ndalimit Alla kishte përmendur emrin e babait të tij, duke i kërkuar unifromave blu të mos e ndalojnë për shkak se është djali i një kryebashkiaku.
Por problemet ligjore të familjes Alla kanë nisur përpara se Lefter Alla të merrte drejtimin e Bashkisë. Në mars të vitit 2018, 60 fëmijëve në shkollën e mesme në Shupenzë u asfiksuan, madje disa prej tyre u sollën me urgjencë në Tiranë. Ekspertiza konstatoi se helmimin te nxënësit e shkaktuan kaldajat të cilat ishin vendosur jashtë kushteve teknike gjatë rikonstruksionit të shkollës “Rifat Manjani’. Kompania që realizoi rikonstruksionin e shkollës, ishte tenderuar nga bashkia Bulqizë dhe ishte fituar nga firma Ndregjoni Sh.p.k, e cilaia kishte nënkontrakuar punimet kompanisë “B Alla 76”. Firma “B Alla 76’ nuk kishte eksperiencë në instalimin e kaldajave, por pronari dhe administratori i saj, Ilir Alla ishte vëllai i kreut të Partisë Socialiste në atë kohë, Lefter Alla.
Por telashi më i madh për Allën do të ishte dalja e një video, ku pretendohej se ishte duke konsumuar kokainë në banakun e një lokali.
Kryebashkiaku u thirr në SPAK për të dhënë shpjegime rreth videos. Ndër të tjera, ai deklaroi se nuk mbante mend të kishte pasur episode të tilla, dhe pavarësisht ngjashmërisë me personin në video, ai filmim nuk kishte të bënte me të. Ai i ka kërkuar prokurorisë t’i vinte në dispozicion një filmim më të qartë, me qëllim që të mund të jepte shpjegime te detajuara. Ndërsa për personat e tjerë që shfaqeshin në video, Alla ka thënë se nuk i njihte. Në kuadër të hetimit, kryebashkiaku iu nënshtrua dhe testit të drogës, prej nga rezultoi se ai nuk ishte përdorues i lëndëve narkotike.
Disa muaj më vonë, SPAK do të pushonte hetimet për Lefter Allën, me argumentin se nuk përmban element të veprës penale.
Dukej se Alla kësaj furie politike nuk do ti mbijetonte. Klanet brenda PS-së, kundërshtarët në biznes dhe rivalët politik, po prisnin që Rama ta largonte nga partia dhe ti thonte si gjithë të tjerëve; tani halli është i joti, përballu vetë. Kjo nuk ndodhi, Alla po merrte pushtet çdo ditë e më shumë. Kontrollonte gjithçka në parti dhe emërimet në administratë. Opozitën politike thuajse e kontrollonte indirekt. Kishte një dashuri nën hije mes tyre.
Alla ishte njeri që në biznes, ishte rritur fuqishëm, në kohën kur vendi drejtohej nga demokratët. Në Bulqizë, si zonë e vogël, dihej botërisht që ai kishte mbështetje indirekt të njerëzve kyç në degën lokale.
Por një kallëzim për tenderin e kanalizimeve të ujërave të zeza në Lagjen e vjetër, do ti shkatërronte përfundimisht mundësinë për një mandate të dytë në krye të bashkisë. Që të themi atë që dihej në Bulqizë, nëse Alla do të ishte kandidat, gjasat për një mandat të dytë, ishte plotësisht e mundur.
Moti me shi i mbrëmjes së të mërkurë në Bulqizë, do të sillte edhe lajmin e arrestimit të tij me urdhër të SPAK. Akuzuar se kanë falsifikuar dokumentet e një tenderi me vlerë 322 milionë lekë (afro 2.8 milionë euro) që synonte të rinovonte rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në lagjen e vjetër të qytetit minerar. SPAK bëri të ditur se punonjësit e bashkisë patën favorizuar në tender dy kompani, Egland shpk dhe BE-IS shpk, ndërkohë që punimet në terren dyshohet se janë kryer realisht nga një kompani e tretë, “2AF Albania shpk”, për të cilën prokurorët thonë se ka lidhje me kryetarin e arrestuar të bashkisë.
Një dinamikë e tillë hapi “zyrtarisht” garën në PS për kandidat në Bulqizë për 14 maj. Shumë emra janë në tavolinë. Shumë ngjarje do të kemi në ditët në vijim.