Shkeli masat ndaj Covid-19, gjobitet me 5 milion lekë Elton Debreshi

1439
Takimi hapës i kandidatit të pavarur për deputet, Elton Debreshi më 26 mars në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi, njoftoi këtë të hënë se ishte gjobitur me 5 milion lekë, pas organizimit të një aktiviteti elektoral më 26 mars në qytetin e Bulqizës. “Sot komisariati i Bulqizës më njoftoi se jam gjobitur me 5,000,000 lekë të reja për shkak të tubimit të datës 26 mars. Për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mosbotimit të rregullave të reja në fletoren zyrtare, takimi në Bulqizë ka qenë krejt i ligjshëm.” thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Debreshi.

Një vendim i tillë me gjobë nga strukturat e Policisë është i vetmi për subjektet zgjedhore në Dibër. Nga shtabet elektorale të Partisë Demokratike dhe Partisë Socaliste në Dibër, mësohet se deri më sot nuk është marrë asnjë masë administrative gjobë për shkelje të masave ndaj Covid-19. Të dyja kampet politike në Dibër, refuzuan që të komentonin gjobën për kandidatin e pavarur, Elton Debreshi.

Në shkresën e lëshuar nga Komisariati i Policisë Bulqizë, që mban datën 2 prill 2021, thuhet se Debreshi nuk ka zbatuar urdhërin e dhënë nga organet kompetente për ndalimin e organizimit të tubimeve dhe takimeve elektorale në ambiente të mbyllura dhe të hapura.

Shkresa e Komisariatit të Policisë Dibër

“Autori i vërtetë i kësaj gjobe është Edi Rama. Ai dhe partitë e tjera kanë frikë nga mbeshtetja e madhe që po marrim në çdo fshat dhe qytet të Dibrës. Fakti që për të njëjtat tubime PD nuk gjobitet, tregon se të gjitha partitë janë bashkë. Dje ishin bashkë kundër grevës dhe protestave tona, sot janë bashkë kundër kandidimit të një minatori.” thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Debreshi.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Policia e Shtetit kanë vënë deri në muajin shkurt të këtij viti mbi 1.1 miliardë lekë gjoba për qytetarë dhe biznese të kapura në shkelje të Aktit Normativ nr. 3 të marsit 2020 dhe urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë Nr. 633 të nëntorit 2020.

Në gjithë këtë masë gjobash, vetëm 35 milionë lekë janë për përfaqësues politikë të cilët kanë zhvilluar takime elektorale në salla të mbyllura dhe ambiente të hapura.

Gjykata Kushtetuese në një vendim të datës 9 mars 2021 ka vendosur që të mos e pranojë vendimin e qeverisë për të ndalur tubimet mbi 10 persona. “Detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve, brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.