Shkarkimi i trajnerit Haxhiu nga ekipi i Korabit, publikuar nga “Panorama Sport” ka mbetur zyrtar dhe nuk ka më kthim të tij. Këtë e ka konfirmuar vetë administratori i klubit dibran, Fehmi Mziu, për “Panorama Sport” duke deklaruar se tekniku është larguar përfundimisht.
Një nga arsyet e largimit që ai përmend, ka qenë rezultati i dobët me Flamurtarin, kur skuadra dibrane u mund 6-0, por edhe fakti se lojtarët kanë tre muaj pa u paguar. Që pas ndeshjes me Luftëtarin, Haxhiu i pati kërkuar largimin nga ekipi, sipas Mziut, por pasi nuk e ka pranuar kërkesën e tij, puna vazhdoi normalisht.
“Kulmi arriti pas humbjes së thellë ndaj Flamurtarit që u bë dhe shkak kryesor për largimin e tij, pasi edhe me ekipin e Korabit U-19 të shkoja në Vlorë, nuk do të pësonim 6 gola”, është shprehur Mziu. Sigurisht janë dhe problematikat e tjera, siç janë mungesat e financave, ku futbollistët janë të papaguar për gati tre muaj dhe probleme të tjera të brendshme të klubit.
Sot, në orën 10:00, skuadra do të dalë në stërvitje, ku pritet që në vend të trajnerit Gerd Haxhiu, skuadrën ta drejtojnë deri në fund të kampionatit ndihmësi i tij Artion Poçi dhe Ermal Nexhipi. Gjasat janë që skuadra deri në fund të sezonit do të jetë nën drejtimin e kësaj dysheje. Gjithsesi, për një gjë të tillë, pritet vendimi zyrtar që mund të jepet sot paradite nga drejtuesit e klubit dibran. Më herët Poçi ka drejtuar ekipin e Korabit kundër Laçit, pas largimit të trajnerit Mërgjyshi.
ABDULLA DUSHKU