Shërbimi Zjarrfikës i Dibrës së Madhe në ndihmë të Peshkopisë

658

Komuna Dibër dhe Bashkia Peshkopi (Shqipëri), kanë bashkëpunim vëllazëror pothuajse në të gjithë sferat. Në fillim të viteve të 90-ta, pas proceseve të tranzicionit në Maqedoni dhe Shqipëri mundësoi që dy Dibrat që i ka ndarë kufiri të kenë marrëdhënie të shkëlqyera.

Përveç bashkëpunimit mes pushteteve vendore, shëndetësisë, pastaj në sferën e kulturës, sportit, shoqatave joqeveritare dhe biznesit, dy Dibrat bashkëpunojnë edhe në momente kur ka nevojë për të ndihmuar njëra tjetrën. Një bashkëpunim i tillë është edhe ai në shuarjen e zjarreve.

Vite me radhë njësia territoriale antizjarr e Dibrës, ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në vendbanimet rurale kufitare të Shqipërisë. Vitin e kaluar tre herë njësia antizjarr e Dibrës në mënyrë të organizuar me ekipin e saj dhe me automjetet e nevojshme ka intervenuar në shuarjen e zjarreve të mëdha në vendbanimet kufitare.

Komisari antizjarr në Dibër, Xhetan Miftaroski, se me lejen e Komunës Dibër, pas kërkesës për ndihmë, njësia nëpërmjet vendkalimit kufitar Bllatë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, ka intervenuar dhe ka shuar me sukses zjarre me përmasa të mëdha. Bëhet fjalë për shuarjen e zjarreve në objekte të mëdha, shton komisari i njësisë antizjarr në Dibër.

Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me njësinë antizjarr të Peshkopisë, shton Miftaroski dhe thekson se ai bashkëpunim është vite me radhë. “Ne jemi të gatshëm që të intervenojmë gjithmonë nëse kërkohet ndihma e njësisë tonë”, shton komisari i njësisë së Dibrës. Duhet theksuar se gjatë momenteve kur njësia e Dibrës ka intervenuar në shuarjen e zjarreve në Shqipëri, edhe kompetentët e vendkalimeve kufitare në “Bllatë” kanë treguar korrektesë dhe pa probleme ekipi dhe autobotet e njësisë janë lëshuar pa probleme.

Duke marrë parasysh se edhe në fillim të këtij viti ka shumë zjarre në të dy anët e kufirit, kemi pasur kontakte me njësinë antizjarr të Peshkopisë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë, thonë në njësinë e Dibrës. Sa i takon Dibrës, nga janari i këtij viti ka pasur mbi 45 zjarre, që është tre herë më shumë në krahasim me tre muajt e parë të vitit të kaluar.

Vikendin e fundit janë evidentuar 8 zjarre për dy ditë me përmasa shumë të mëdha, na informojnë nga njësia e Dibrës. Janë vërejtur zjarre në hapësirë edhe në brezin kufitare Maqedoni – Shqipëri në afërsi të Dibrës. Prandaj, siç thonë anëtarët e njësisë antizjarr në Dibër, nëse kërkohet ndihmë nga Shqipëria, janë të përgatitur për të intervenuar edhe atje. Bashkëpunimi vëllazëror për këtë vit, ka filluar me një takim mes kryetarit të Komunës Dibër, Ruzhdi Lata dhe kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë, Muharem Rama.

Gjatë takimit në Dibër është theksuar se bashkëpunimi edhe këtë vit do të jetë në të gjithë sferat e jetës. Ndryshe, të martën në mbrëmje në Dibër janë regjistruar dy zjarre të reja, edhe atë në dy shtëpi individuale. Zjarri i dytë, i cili është regjistruar në ora 20 e 30 minuta, ka shkrumbuar tërësisht çatinë dhe disa pjesë të tjera të një shtëpie në qendër të qytetit.

Komisari Xhetan Miftaroski ka deklaruar se intervenimi ka qenë i shpejtë, edhe atë me pjesëmarrje të pesë autoboteve dhe një numër të madh të zjarrfikësve dhe pas afro 4 orëve intervenime zjarri është lokalizuar. Tërësisht është djegur çatia dhe disa pjesë të shtëpisë për banim.

Po në të njëjtën rrugë, kah ora 19 e 30 minuta, ka pasur edhe një zjarr tjetër, por ai ka qenë i lokalizuar shumë shpejt. Sipas pronarëve të shtëpisë, të së cilës iu dogj tërësisht kulmi, zjarri është shkaktuar nga problemet që ka pasur tensioni i rrymës elektrike në rrugën ku gjendej shtëpia në fjalë. Kur jemi te zjarret, të theksojmë se në tre muajt e pare të këtij viti janë evidentuar rreth 40 zjarre në objektet dhe hapësirë në komunat Dibër dhe Qendër  Zhupë, nga të cilët 8 vetëm gjatë vikendit.

Vjollca SADIKU/ Qyteti i Dibrës/