Shembet masivi shkëmbor, vdes një minator në Bulqizë

429
Miniera e Bulqizës. Foto nga interneti

Një minator humbi jetën ndërsa dy të tjetër u lënduan në dy aksidente të ndryshme. Viktima punonte në atë që njihet si Zona D e minierës, ndërsa dy të plagosur punonin në minierën kryesore që kontrollohet nga AlbChrome (ACR).

Policia konfirmoi për BIRN të dy aksidentet. “Në minierën e Bulqizës në zonën D,  duke punuar brenda në minierë dyshohet se është shembur një masiv shkëmbor dhe për pasojë ka humbur jetën një 57 vjeçar”, njoftoi policia. Ajo po ashtu bëri me dije se “në vendngjarje, po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”. Viktima u identifikua si Allaman Allushi.

Por  ashtu si edhe në raste të ngjashme emri i kompanisë që kontrollon galerinë ku ndodhi aksidenti me vdekje nuk është bërë publik nga policia.

Një aksident i dytë u raportua ditën e premte edhe në galerinë e kontrolluar nga ACR. Sipas policisë dy minatorë u aksidentuan dhe u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.  ACR pranoi aksidentin në minierën e kontrolluar prej saj.

Një zëdhënës i Balfin Group që zotëron kompaninë i tha BIRN se aksidenti kishte ardhur si pasojë e një avarie në vagonë. Ai tha se dy minatorët ishin “plagosur lehtë kur kanë tentuar të fusin vagonët në shina”. Sipas zëdhënësit minatorët ishin transportuar në spital dhe ishin jashtë rrezikut për jetën, pasi kishin marrë lëndime të lehta.

Në vitin 2018 shtatë persona humbën jetën në galeritë e kromit në Bulqizë e Klos. Pas një sërë aksidentesh për shkak të minave Autoriteti për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM ndërhyri në qershor 2018 duke imponuar teknologji të re shpërthimi, kjo bëri që për disa muaj të mos kishte aksidente të rënda.

Është e paqartë se çfarë ka ndodhur në aksidentin e fundit. Në shkrime të mëhershme  BIRN ka gjetur se kompanitë që menaxhonin minierat nuk mbaheshin përgjegjëse për aksidentet dhe ccështjet ndaj tyre mbylleshin duke ua lënë fajin viktimave.

Autor: Hysen Likdisha  BIRN