Temperaturat e ulëta, erë e fortë me reshje dëbore ka përfshirë Dibrën që prej mbrëmjes të së shtunës. Kjo situatë ka krijuar probleme të shumta në fshatra, por edhe në qytete, ndërsa dhjetra rrugë janë të bllokuara dhe disa zona janë pa energji elektrike.
Trashësia e borës në fshatra shkon deri në 50 cm, ndërsa në Bulqizë dhe Dibër deri në 30 cm.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, reshjet nuk kanë sjellë probleme në qarkullim, por rekomandohet që në akset Qafë Bualli-Krastë, Qafë Bualli – Peshkopi, Peshkopi-Ushtelencë, Peshkopi-Qafë Drajë, Trebisht-Doganë dhe Ura e Çerenecit-Klenjë, kalimi të bëhet me zinxhirë.
Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu u shpreh për Bulqiza ime se deri më tani rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa ka probleme me furnizimin me energji në disa njësi administrative.
Në informacionin e Prefekturës Dibër shpërndarë për mediat, bëhet me dije se mbeten të bllokuara rrugët që të lidhin me njësitë administrative: Selishtë, Lurë e Luzni. Gjithashtu edhe rrugët lidhëse të fshatrave: Kala e Dodës, Sllovë, Zalldardhë, Reç, Kastriot e Melan me njësitë administrative në Dibër.
Ndërsa në Bulqizë mbeten të bllokuara njesitë administrative Trebisht dhe Ostren. Gjithashtu vazhdojnë të jenë të bllokuara edhe rrugët e fshatrave që lidhen me njësitë administrative Gjoricë, Fushë-Bulqizë, Shupenzë e Martanesh.
Në Bulqizë ka pasur edhe mungesë të energjisë elektrike në disa zona të njësive administrative dhe në një pjesë të qytetit. Mungesë energjie ka pasur edhe në Dibër, në Kalanë e Dodës, Sllovë, Fushë-Çidhën, Selishtë, Lurë, Reç e Muhurr dhe pjesërisht në qytetin e Peshkopisë.
Në Klos mbeten të bllokuara vetëm rrugët e fshatrave që të lidhin me njësinë administrative Xibër.