Nga Skënder CALA*
Ndërkohë që Rruga e Arbërit pret shërbesën e Kryeministrit Rama dhe të skuadrës së tij për ta finalizuar, po mbushen afro 3 vite që këta kakarisin për të bërë vezën e madhe në Lugomare. Dhe për habinë e të gjithëve, para disa ditësh nga Lugomarja e Vlorës mësuam një tjetër lajm të Kryeministrit Rama. Projekte të tjera do të gjejnë zbatim në pashallëkun e Koço Kokëdhimës, nga Vlora e gjer në Himarë. Por projekti më i rëndësishëm do të jetë Rruga e Lumit të Vlorës, 100 km. Të gjitha këto ndodhen me datën 2 prill, datë historike për Shkodrën që i dha lirisë së Atdheut katër djelmosha (katër heronj) që bënë të mundur që edhe Rama e Ruçët të bëjnë karrierë edhe në sistemin e ri demokratik (postdiktaturë). Tamam për këtë, unë si dhe shumica e shqiptarëve prisnim një mesazh që do zbuste sadopak dhembjen e nënëlokes Shkodër, qoftë edhe sot pas një çerek shekulli për katër bijtë e saj, heronjtë e parë të demokracisë.
Sidoqoftë, me këtë prolog nuk dua të zbehë entuziazmin e qindra e mijëra malësorëve të lumit të Vlorës që këtë rrugë e kanë ëndërruar e dëshiruar njëlloj si dhe ne dibranët kemi pritur dhe presim Rrugën e Arbërit. Edhe për një arsye më shumë, sepse edhe Labëria e Bregu janë lodhur e vrarë nga luftërat dhe varfëria, njëlloj si dhe Dibra. Prandaj gëzoj bashkë me ta. Por më gëzon edhe një fakt tjetër, kam dëgjuar se çdo rrugë që i shtohet gjymtyrëve të Atdheut, është si arteriet e gjakut në trupin tonë. Pra Atdheu bëhet më i fuqishëm, më i bukur e më aktraktiv dhe i kulturuar, kështu që edhe të ardhurit nga bota (turistët) të bien në dashuri me të. Por siç thuhet “gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi” tek Rruga e Arbërit.
Plagë që nuk po e shërojmë.
Nuk e bënë tre qeveri me tre kryeministra, e që rrezikon të bëhet gangrenë. Sepse i mungojnë miliona euro, për të mbyllur këtë operacion, i mbetur hapur prej 15 vitesh. Kjo rrugë zgjon shpresën e dibranëve që në afro dy orë (nga 6-8 orë që bëhet) të lidheshin me pronat dhe tokat e tyre të lëna djerrë. Realisht, dibranët u zhvendosen nga pronat e tyre dhe u vendosën në rrethinat e Tiranës vetëm nga varfëria dhe mizerabiliteti ekonomik që instaloi diktatura Hoxhiste në këtë vend. Nga izolimi i pashembullt në histori që enveristët i bënë atij vendi dhe atyre malësorëve për gjysëm shekulli.
Por dhe në këtë çerek shekulli, indiferenca dhe injorimi që i bënë pushtetet në sistemin demokratik, solli të njëjtat pasoja që zor të riparohen dhe 50 vite të tjera. Rrugën e Arbërit e presin të mbarojë edhe qindra mijëra shqiptarë, në trojet e tyre, por që historia i ka lënë jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë. Nga Dibra e Madhe e në Gostivar, Tetovë, Kumanovë, e deri në Shkupë. Por nuk qe e thënë të mbaronte. Për analogji njëlloj si “Koridori 8”, i dështuar. Këta, rrugët nuk i duan. Për këtë, u binda edhe në emisionin e Sokol Ballës “Top Stori” ku Haxhinasto, ministër, nuk e zuri në gojë, megjithë këmbënguljen e Ballës dhe të ftuarit e tjerë (Shehu) për të ditur se çfarë bëhet me rrugën e Arbërit.
Justifikohej se projektet kanë probleme, se duhen para, nuk pijnë më ujë etj, etj. Ato prej vitesh sabotohen, dhe ky sabotim e keqdashje ka një emër “tradhëti” ndaj interesave zhvilluese te dibranëve. Kush tradhtoi, kush spekuloi, kush mashtroi gjejeni Ju, që i keni dalë zot këtij populli. Por ju nuk mund ta bëni, nga se besimit dhe votës së tyre, premtimit që u dhatë, iu keni kthyer shpinën. Jo vetëm kaq por fusni ndasi në popull midis krahinash.
Rama, flet nga Vunoi e Himara për Bathoren (që të vriska sytë) që ju prej kohësh e keni injoruar ekonomikisht dhe politikisht aq sa të zgjedhurit e saj në parlament, janë të përzgjedhurit tuaj, dhe jo për mend sepse janë mizantrop të gjallë.
Por për paratë dhe bizneset e tyre fitimprurëse që shesin e blejnë disa dibranë fatkeq në rast fushatash elektorale, por që në parlament u dëgjohet zëri vetëm kur akuzohen për korrupsion e allishverishe. Ndërsa për Rrugën e Arbërit dhe hallet e mëdha të Dibrës, kurrë nuk i dëgjoni të flasin. Ndërkohë që si avokatë të sojit Balla-Braçe nuk përtojnë të mbrojnë sukseset imagjinare të Ramës që në tre vite qeverisje i ka çuar shqiptarët si në fillim të viteve ‘90, të cilit vetëm ikin e ikin edhe sot në 2016-tën. Sigurisht nga kushtet dhe jetesa e “lumtur” që u ka siguruar shqiptarëve.
Rama s’po bën dot as vezë të vogël
Në Dibër tregohet një histori e kohës së kolektivizimit dhe e tufëzimit, kur një funksionar partie po fliste para kooperativistëve për sukseset e arritura dhe se ne ishim bërë “ylli i pashuar” në botë, ndërkohë që ne ishim bërë shembulli ma i shëmtuar në botë. Megjithatë kooperativistët, të gjithë me nga një copë bukë misri me qepë e kripë dëgjonin oratorin e partisë që s’pushonte e s’pushonte. Një plak andej nga fundi, guxon e merr leje të largohet. Funksionari e pyet, ku shkon? Plaku i përgjigjet “sa të derdh një ujë” (kuptimi i urinimit). Kooperativistët nën zë filluan të qeshin. Shko, iu hakërrua funksionari, por mos harro të vish. Dhe plaku erdhi e kërkoi fjalën. Fol, fol i thanë, sepse fshati e njihte këtë plak të urtë.
-O shoku i partisë.
Thonë se njëherë e një kohë, pulës iu mbush mendja të bëjë vezën e madhe dhe kakarisi e kakarisi kryq e tërthor oborrit të shpisë. Hyn e del nga koteci dhe më në fund të madhen vezë e bëri. Por ç’e do, i plasi b..tha pllou… Kështu dhe puna e Kryeministrit Rama. Në këto vite kakaris e kakaris, premton, dështon, fyen, mohon, injoron, shan e shpif për të bërë vezën e madhe, por ne vegjëlia po zhgënjehemi, se Rama as vezë të vogël s’po bën dot, e jo më rrugën e Arbërit, që është vezë e madhe dhe kjo veze kushton miliona euro.
E sa të bëjmë vezën e madhe, më mirë po bëjmë vila, qejfe e makina, reklama, suva, palma, trotuare; hiq pemtore e mbjell beton me ato miliona. Por problem i shqiptarëve mbeten arteriet, rrugët që lidhin me zemrën e Tiranës e Brukselit për në Europë. Sot pas një çerekshekulli, kur ka në krah SHBA e BE, Dibra, ashti si dhe Shqipëria në përgjithësi ka mbetur zorrë qorre, apendisit (përjashto Rrugën e Kombit, pa rrugë, pa hekurudha, pa porte me standarte, për t’u lidhur me Europën).
Me turizmin primitive, me ekonomi azmatike, me biznese të mbetura në inkubatorin e gjobave dhe taksave (që vdesin pa lindur).
Po Dibra ku qëndron në këtë valle të mediokritetit dhe anarshizmit ekonomik dhe politikë? Në dy dekada, investimet në bujqësi, blegtori e frutikulturë, në masën zero. Injorimi dhe mospërfillja zënë vendet kryesore. Injorimi i Rrugës së Arbërit, një arsye më shumë, për të besuar ato që thamë më sipër.
Rruga e Arbërit mbeti rrugëve duke lypur
Thonë që qeni i rrahur që këlysh nuk të han, por as të lehë nuk di. Kjo ka ndodhur me dibranët e mi, si në tërë krahinat shqiptare në përgjithësi e Shqipërinë verilindore në veçanti. Në gjysëm shekulli diktaturë, antikomunizmin e saj, Dibra e lau me gjak e luftë klasash përçarje. Ndërsa jetën e “lumtur” në socializmën e lanë me djersë e punë të papaguar, e lanë në varfëri e burgje e internime. Por dhe në këtë çerekshekulli demokraci, kur u mendua dhe u besua se varrosëm diktaturën dhe sistemin poshtërues komunist, “litarin” e të vdekurit e kemi lënë jashtë. “Litar” që plot 25 vite na sillet e përdridhet nëpër këmbë, duke zbehur dhe mohuar, deri asgjësuar çdo vlere të demokracisë së brishtë, çdo vlerë që u gatua me aq sakrifica.
Dhe këtë punë, Rama dhe skuadra e tij e “dyshimtë” po e bën mirë. Prej afro tre vitesh lufton të zvogëlojë vlerat e lirisë dhe të injorojë, fyejë e poshtërojë edhe atë pak pavarësi që fituam në këto vite për të qeverisur vetveten dhe bërë biznes. Ja pra dhe Rruga e Arbërit u harrua. Jo pa keqdashje. Rama nuk e do, ndërkohë skuadra e tij i futi shtupën. Dhe ne dibranëve, s’na mbetet, veçse të lehim sepse të kafshojmë kemi harruar, dhe pse na e kanë bërë borxh sepse përfaqësuesit e Dibrës, të djathtë e të majtë heshtin. Të djathtët, të turpëruar sepse nuk e mbaruan. Të majtët, armiqësorë me këtë rrugë, sepse nuk duan që Dibra të zhvillohet e të prosperohet. Ndaj dhe Rruga e Arbërit mbeti rrugëve duke lypur. Atë e ka zënë gjumi i vdekjes në hanin pa lekë të Qafës Buallit.
*Mjeshtër i Madh