Rruga e Arbërit, dëshmitë historike nga Tirana në Bulqizë

4508
Punimet për ndërtimin e Urës së Vashës, Rruga e Arbërit, fshati Guri i Bardhë në Klos. Foto: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Autor: Azis Keta  Gazeta “Rruga e Arbërit”

Të shumta janë njoftimet shpresëdhënëse për ritmet e larta të ndërtimit të Rrugës së re të Arbërit, sidomos në segmentet Ura e Vashës- Qafë Murrizi dhe Ura e Topojanit në Homesh. Për të parë më nga afër këto punime dhe për t’u njohur me anën historike dhe mrekullitë natyrore të kësaj rruge, që do jetë objekt i turizmit të nesërm, një grup dibranësh janë përfshirë në nismën e një guide turistike. Në vartësi të pjesmarrësve, janë planifikuar dhe masat logjistike. Ndër to: mjetet për lëvizje janë planifikuar me shkallë të lartë kalueshmërie dhe me drejtues që njohin trasenë e vjetër dhe të re të rrugës. Traseja ku parashikohet të kalojë rruga do vizitohet e gjitha. Aty ku nuk kalojnë mjetet do kalohet në këmbë. Kjo distancë mund të jetë rreth 20 km dhe parashikohet të zgjasë rreth 5-6 orë. Sepse vetëm duke shkelur rrugën e qerreve në këmbë do kuptojmë mrekullinë dhe absurdin e saj. Vetëm duke e shkelur këtë rrugë me këmbë do kuptojmë pse të parët tanë ishin aq të mençur që bën mbi 20 shekuj këtë rrugë me mushkë, kuaj dhe qerre më shpejt se me makinë. Dhe, duke bërë rrugën të shkurtër, e “zinin lepurin me qerre”. Sepse qerrja lëviste në drejtimin e duhur për në Tiranë, jo duke “i rënë nga Kina”, për të bërë 70 vjet 100 km më shumë… Por edhe shkalla e kalueshmërisë do shihet me sy,do kuptojmë se ajo nuk është aq e lartë sa jemi mashtruar 28 vjet. Përkundrazi: do bindemi se rruga që po shkelim nuk ka shumë dallime me grykat e Shkopetit që kishim dhe kemi e po kalojmë në to 70 vjet rrjesht.

Absurdi

Mendoni sa ditë do na duhej të bënim 157 km “Rrugë Dibre” në këmbë nga Bulqiza…. – Cili fshat i Shqipërisë bëri një rrugë 70 vjet trefish më të gjatë? – Kush më shumë se Dibra që nxorri dhe eksportoi krom, energji, lëndë drusore e mermer dhe me duart e veta e ndërtoi Shqipërinë, kontriboi edhe për Rrugën e Arbërit? – Kush më shumë se Rruga e Dibrës, sot e Arbërit, ka magjinë dhe bafasinë të ofroj shumëllojshmërinë e objekteve historike dhe turistike që do të shkelim në vetëm 57 km? – Kush më shkurt se vetëm me 57 km rrugë Arbëri rilidhim lindjen me perëndimin , Tiranën me Dibrën, Shkupin me Durrësin? – Kush më shumë se Tirana me Dibrën, historikisht ishin kaq afër dhe u bënë kaq larg vetëm për mungesën e rrugës së Arbërit ? – Pse Tirana dhe Dibra quheshin “Kërthiza e Arbërisë historike dhe begatia e saj ekonomike”?. – Sa beteja të mëdha dhe kështjella qytete kishim në rrethina Dibre dhe Tiranë? – Sa kanione, liqene karstike, kulla, ura si ajo e Vashës, miniera kromi, lumej, pyje që “puthin retë” kishim dhe kemi nga Tirana në Homesh? – Pse “grykat dhe bigat e Valkhalisë” me rrugën e Dibrës në bosht, vlerësohej si “lugina dhe drejtimi më i rëndësishëm, paralel me “grykat e Shkumbinit”, por me një veçori plus: Drejtimi i Dibrës ishte gjithnjë “brenda shtetit të Skënderbeut”, në “ kërthizë të Arbërisë”, 100 km më shkurt për të lidhur lindjen me perëndimin e Arbërisë.

Për nga vlerat mbrojtëse, ky drejtim krahasohej vetëm me Kaudinet në Itali të Jugut (Barleti). Ishin këto arsyet: në bosht të Rrugës Dibrës që fillonte nga “Ohri i Dibrës”dhe këtu kryqëzohej me Egnatian, ajo zgjatohej deri në Rodon. Ishin kështjellat dhe rrugët arsyet që kishim kaq shumë beteja, “vorre të vrame”, Bulqiza e shkretë, Rrugë Vrami, gjeksina… etj. Ishte rëndësia e Dibrës në kufirin lindor të Arbërisë që kishin dy rrugë paralele të Dibrës Dibrës: njëra e kurrizeve (DibërZerqan- Bizë- Tiranë) dhe tjetra për lugine : Dibër- Luginë Bulqize- Guri Bardhë- Qafë Murrizë- Tujan – Tiranë. Po këtu, kishim stane aq dhe punishte baruti, fusha pjellore dhe farka. Sepse Dibra dhe Tirana ishin “hambari dhe gonxhet e Arbërisë”. Sepse Dibra dhe Tirana, bashkë me rrugën e tyre, ishin gjithnjë brënda kufive administrative të kastriotëve, kishin dalje në Adriatik dhe kripore qysh në kohë të Gjonit. Kishin kontrollin dhe doganën mbi rrugët dhe karvanët.

KALAJA KETIN E XIBRIT DHE NIKOLL KETA

Në kalanë KETA të Xibrës, ku ishte dhe qyteza,e lokalizuar në kohën e Perandorisë Romake, derdheshin dhe qarkullonin monedha të gjithë llojeve, sepse kjo kala ishte më e rëndësishmja pas Krujës deri sa u bë Petralba (Guri bardhë). Këtu ishte “kërthiza e rezitencës” së shtetit të Skënderbeut me Valkhalinë në qendër. Ndaj: Vetëm duke e shkelur me këmbë,rrugën e Arbërit dhe parë me sytë tanë një segment të kësaj rruge që mban jo pa kuptim emrin “Myslim KETA”, e pas saj “kështjellën Ketin në Xibër”, dhe po prej këtej togëfjalëshin “popolo Chetta” , që sipas Nikollë KETA (1740- 1803, me origjinë shqiptar Maqedonie dhe 14 vjet Rektor në Palermo),qysh më 1777 ofronte befasinë : Emri i sotëm i Maqedonisë shqiptare vjen nga shqipja: Emathi + Chetta + Dardani = Machedoni. (Tessaro). Ja pse duke parë me sytë tanë “rrugën e vjetër të qerreve”, do kuptojmë pse sot “lepuri ka hypur vetë në qerre” dhe nuk është më nevoja t’i “biem më nga Kina”.

Kalaja Ilire e Xibrit në Mat. Foto: Internet

Sepse me finacimet e buxhetit të shtetit “janë lagur rrotat e qerres” nga të ardhurat e kromit të Bulqizës në 70 vjet dhe Dibra nuk i kërkon askujt lëmoshë për këtë rrugë por veç një “borxh të pashlyer” jo vetëm ekonomik, por dhe me kosto gjaku. Sepse vetëm Bulqiza dhe Martaneshi me tre miniera të kromi dhe po kaq burgje, në 70 vjet kohë paqe, derdhi gjak në “zgafellat e vdekjes” më shumë se në kohë lufte. Ja pse rruga e dikurshme e mushkës dhe e qerres, sot po lëviz në drejtimin e duhur”. Madje po përmbysen skenat e “teatrit absurd me Rrugë Arbëri”, që na mbajtën peng 28 vjet me mashtrime banale. Se gjoja në këtë rrugë “na paskan dalë ujra nëntoksore” të pa parashikuara. Pastaj në “këtë rrugë nuk mund të kalojë as lepuri”, ndaj dhe nuk ka efektivitet. Pastaj: 28 vjet thamë pse nuk bëhet Rruga e Arbërit. Dhe kur filloi e ritmet janë për “URRA” themi: “Ç’janë kanë këta që po e bëjnë rrugën e Arbërit”?

Egnatia dhe Rruga e Arbërit – një vështrim gjeostrategjik

Sepse vetëm nga drejtimi i Dibrës -Bulqizë –Tirane hyhet në Tirane dhe Krujë më shkurt se në çdo drejtim tjetër. Por, nuk ishte vetëm kjo. Për të lidhur kufitë lindore dhe verilindore të Arbërisë me Tiranën, Krujën dhe bregdetin, kishte disa rrugë paralele, por dy ishin më të hershmet në kohë: Egnatia dhe rruga e Dibrës. Këto dy rrugë, kishin këto ngjajshmëri dhe dallime: të dyja ishin rrugë tregëtare dhe ushtarake; lokalizoheshin në kohë me periudhën ilire, bashkë me kështjellat qytete që i siguronin këto rrugë; kishin lidhje, zgjatime dhe kryqëzime kryq e tërthorë me njëra-tjetrën; kishin siguruar vazhdimësi lëvizje në çdo pjesë territori nga kufitë lindorë të Arbërisë (ku pjesë dhe Dibra), deri në perëndim (Adriatiku); si dhe Egnatia ashtu dhe rruga e Dibrës, secila mbulonte drejtimin e vet: njëra drejtimin e Shkumbinit, tjetra të Valkhalisë. Kjo e fundit e lokalizuar: nga “përballë Ohrit” deri në Modriç-Ostren-Okshtun-Valikardhë. Kjo rrugë ishte paralel me Drinin dhe nuk futej në grykë Radike. (Kurmaku).

Guri i Bardhë, Ura e Vashës. Foto: MSG promotion

Për të kaluar Drinin, nëse vije nga Shkupi dhe Pollogu (Gosivari i sotëm) dhe të futeshe në “bigat, ngushticat dhe grykat e Valkhalisë”, (Barleti), kishte një urë antike dhe funksionale në Lladomericë. Kjo urë ishte po aq engjajshme në anë konstruktive, arktekturore dhe aftësi mbrojtëse sa ajo në urën e Qytetit të Valikardhës dhe të Vashës që ishin në të njejtin segment. Deri në vitin 1948, tek kjo urë kishim ende doganë me Maqedoninë shqiptare dhe këmbët e saj mund ti shohim dhe sot. Si Egnatia dhe Rruga e Arbërit, në kohë të ndryshme kishin trase dhe stacione të ndryshme dhe ishin pjesë e zgjatime të njëra-tjetrës. Zëvëndësonin njëra-tjetrën, sidomos kur Perandoria Osmane, bashkë me Venedikun, merrte nën kontroll Egnatian. Të dyja rrugët patën dëmtime, riparime dhe plotësime në kohë e gjëndje të ndryshme luftarake.Tendenca e tyre vinte duke u zgjeruar dhe rikostruktuar nga rrugë kafshare në rrugë qerresh në vartësi të bujave që viheshin si mjet tërheqie. Ndaj vetëm në Bulqizë dhe Domosdovë, ku kishim Rrugë Dibre dhe Egnatia, të vetmet të kalueshme nga buajt, ndaj dhe gjejmë toponimet: Fusha e Buallit në Domosdovë dhe Qafa e Buallit në Bulqizë.

Lidhje urbane, qëllime tregtare dhe ushtarake:

Ngjashmëritë teknike midis tyre, koha e ndërtimit, llojshmëria e shtresave të trasesë, gjërësia në mal dhe në fushë, shkalla e pjerrësie, cilësisa e veprave të artit (urave) dhe zgjedhja e rrugës më shkurtër, ishin mrekullitë logjistike të kohës. Të dyja kishin projektim, realizim dhe arkitekturë të përafërt dhe shkallë kalueshmërie të njejtë. Si Egnatia dhe Rruga e Dibrës, fillimisht ishin të kalueshme vetëm në verë – vjeshtë, pastaj edhe për dimër, sigurisht me masa plotësuese. Kjo sidomos nga tregëtarët që kontrollonin këto rrugë. Sepse nga këto rrugë kishin jetën, mbijetesën dhe lulëzimin e tyre. Sepse po ata prijësa që kontrollonin rrugën e Dibrës, po ata kishin kishin kalanë e Xibrit. Një ndër ta ishte dhe Nik KETA (Niketa) Thopia. Kethydat dhe jo vetëm, kontrollonin kështjallat e rrugës se Dibrës, sigurinë rrugore dhe hanet në to (Xibër hane). Topiasit dhe jonimët, “nuk linin rast pa ngacmuar tregëtarët që kalonin në tokat e tyre”. Duhej të ishte dashamirësia e sundimtarëve vendas që kontrollonin Rrugën e Dibrës dhe kështjellat që e mbulonin atë, nëse kërkohej qarkullimi i mallrave në qytetin bregdetar të Durrësit (1393- 1395), që ishte aq e kërcënuar në tokë, sidomos “tregëtarët me karvanë “. Kaq problematike ishte siguria rrugore në tokë, sa të merreshin masa për transport detar nga Durrësi në Shkodër.

Por edhe flota pirate vendase ishte nën kontrollin e Kethydasve. Madje, vahet ishin burim të ardhurash për sundimtarët vendas. (Schmitt, Shqipëria Venedikase, 2007: 83-85). Për këtë arsye, Kalaja e Xibrit quhej dhe shkruhej në kohëe dhe variante të ndryshme: KETIN, Kethion, Kethium dhe “kethyda” (KETA, i Xibrit, AK). Paria e tyre ishin prijës dhe kështjellarë. Zotëronin malin dhe fushën (Tiranë, Xibër, Shëngjergj, Martanesh, Bulqizë, Cermanikë, Gostivar dhe rrethina. Ky ishte “popolo chetta” që citonte Nikollë KETA. Po këta mblidhnin taksat dhe kishin flotën e tyre në Adratik ku dominonte Liburna. Po këta sundonin përsëri fushën sa herë lirohej ajo nga ushtritë e huaja. Dhe po këta ngjiteshin në male (popullsia anase, Çabej) sa herë pushtohej fusha. Kështu Kethyda i shpëtuan pushtimit, nderrimit të fesë dhe asimilimit. Ruajtën dhe zgjeraun pronat, mbetën kështjellarë dhe ruajtën idenditetit të tyre:

Arbër të pastër!

Si për Egnatian dhe Rrugën e Dibrës, si vendasit ashtu dhe pushtuesit u kujdesuan për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe rritjen e shkallës kalueshmërisë së tyre, sidomos për dimër. Sepse rrugët ishin si “arteret e gjakut” që lidhnin midis tyre krahinat, principatat, jo vetëm për normalitet urban. Mbi të gjitha, këto dy rrugë ishin të domosdoshme për zhvillimin e tregëtisë. Sepse ju shërbenin perandorive të mëdha ekonomike dhe ushtarake, pa të cilat nuk mund të realizonin qëllimet e tyre zhvilluese, mbrojtëse ose pushtuese. Kur transporti në këto rrugë u zgjeruan masivisht, sidomos për nevoja të ushtrive të huaja, rruga pësoi rikonstruktime dhe zgjerime në vazhdimësi. Mushka dhe kuajt (sidomos nga ushtria perandorake turke), u zëvëndësuan nga qerrja dhe buajt. Por kjo nuk ishte vetëm “domosdoshmëri turke”. Madje, edhe se Amerika kishte shpikur makinat dhe synohej të shkohej në hanë me satelit, në konceptet e saj ushtarake deri në vitet ’50 –të të shekullit të kaluar, shkruhej: “Fatin e luftës në mal e vendos ajo ushtri që ka zgjidhur rrjetin rrugor dhe transportin me kafshë”. (Historia e Artit Ushtrak).

Ura e Brarit, Tiranë. Foto: trover.com

Dy toponimet: fusha e Buallit në Domosdovë ku kishim Egnatian dhe Qafa e Buallit në Bulqizë, ku kishin Rrugën e Dibrës, janë një provë më shumë se vetëm Egnatia dhe Rruga e Dibrës ishin dy rrugët më kryesore të kalueshme të ushtrisë osmane me qerre dhe buaj, që lidhnin lindjen me perëndimin, ku drejtimi i Dibrës ishte më i shkurtri se ai I grykave te Shkumbinit kur vije nga Kalkadreni (Tetova), Ohri, Shkupi dhe Pollogu (Gostivari). Cilësia e urave që kishte Rruga e Dibrës, ishin të ngjajshme me atë të Vashës, Valikardhës, ç’ka flet për kulturë të lartë zhvillimi. Kjo duket edhe sot si në anën konstruktive të tyre, edhe në arkitekturë, qëllim përdorimi dhe funksion mbrojtës. Të gjitha këto flasin për një mrekulli logjistike të kohës.Para Egnatias ishte Rruga e Kandavisë dhe quhej e tillë deri në fillim të shekullit të II p.k. Romakët e zgjeruan atë. Kandavija, shtrihej midis Durrësit dhe Matit. Në letrën e Ciceronit shkruhej: Për të sosur në Epir do të kaloj pa u ngutur nëpër Kundavi. Pompeu, do shkruante: “Nëpërmjet Kandavisë ju drejtova Maqedonisë”. Straboni, tek “Gjeographica”, do shkruante: “Buzë rrugës që shkon për Kundavi, janë liqenet rrotull Lyhnidit që kanë vënde të mjaftueshme për të kripur e për të tharë peshq”.

Çfarë mund të shohim Rrugës së Arbërit?

Në Brarë, Ura e Brarit dhe kanionet fantastike të tij. Aty dhe varri vitit 1201 i Principatës së Arbërve që ishte formuar më 1190 dhe ishte i pari shtet feudal shqiptarë që është dokumentuar dhe ekzistoi deri në fund të shekullit të XIII, ku ndodhet mbishkrimi: “Kujto o Zot shërbetorin tend, Mihal Zeguri me bashkëshorten dhe nipërit”. Në këtë varrë, janë 5 kryqe dhe 5 harqe, shenjë e 5 pjestarëve të familjes së sundimtarit Arbër. (By “Një Komb”, June,19, 2018). Pikturat shkëmbore 5000 vjeçare mund t’i shohim në Bovillë, që janë vetëm 15 km larg Tiranës. Sipas Korkurtit, këto shkrime i përkasin periudhës së neolitit (rreth 2000-3000 vjet para krishtit). Këto shkrime ndodhen në një shkëmb me gjatësi 30-40 m dhe në lartësi 2-3 m. Shkrimet janë me bojra, ruhen deri sot dhe aty pasqyrohen ritet e njerzve të kohës neolitit ose bronxit. Mbasi të kalojmë rrënojat e kalasë Tujanit, Kalanë e Xibrit, Gurin e Bardhë të Budit, urën e Vashës në Dars të Gavril Darës, mund të shohim dhe Qafën e Bues, luginën e Ebusë ose Bulqizën e sotme, pjesë dhe në kërthizë të “ bigave dhe ngushticave të Vaklhalisë. Po këtu, qafa e Bulqizës. Lugina e Ebusë= lugina e Bulqizës. Gjin Bue= Gjin Bulqiza, zot i Artës. Zerqani do quhej Artë. Ashtu si Pal Gropa ishte Zot i Ohrit edhe Gjini i Bues ishte Zot i Moresë, ku evidentohen në Peloponez : Merkur Bue Shpata qysh në vitin 1333. Gjon Muzaka tek” Memoria” na thotë: “Gjin Bua ishte degë e Skurajve” ndërsa Ch. Hoph tek “Cronicues Greco- Romans”, Berlin 1873, shkruan: “ Principata e Buajve pati shtrirje të gjërë dhe lulëzoj pas rënjes së Perandorisë Serbe më 1354.

Zerqani. Foto: bulqizaime.al

Më i dëgjueri Gjin Bue shpata, i biri i Petro Nikollë Buas, sundojë Despotin e Artës deri më 1399”. Përshkruhet: “i bukur, i pashëm, i guximshëm dhe i urtë në fisin arbnorë”. QYTEZA E XIBRES, ishte vendbanim i madh ku, përveç kalasë Xibrit lokalizuar afër fshati KETA, përfshinte: Shkallë, Xibër Hane, Xibër Murrize, Dars dhe Fushat (Fshat). Të gjitha këto ishin pjesë të qytezës Xibrit. Në kuotën 963 m ishte pika më e lartë e kalasë së qytezës. Në Kalanë e Xibrës, studiuesit, duke vlerësuar anën konstruktive, teknikën ndërtimore, trashësinë e mureve të saj; sasinë dhe shumëllojshmërinë e monedhave dhe sendeve të ndryshme të luksit të gjetura në të, e lokalizojne ate te periudhes Ilire.. * * * Kur ra Xibri dhe u zëvëndësua me Gurin e Bardhë, Nik KETA Thopia kërkoi ta ringrej atë, por duket, lartësia e madhe e Xibrës dhe shkalla e lartë e vështirësisë për karvanet me buaj nxorrën nevojën për lartësi më të buta siç ishte Guri Bardhë dhe Darsi. Ndaj dhe legjenda që flet për bëmat e Skëndrebeut tregon jo vetëm për varret e “Nikës dhe të Petës në Vajkal”, por edhe për kalin e Skënderbeut që kur lindte nevoja “ fluturonte nga Guri Bardhë në Dars”(Akademia e Shkencave, Gojëdhana për Skënderbeun”). Sot në Xibër kemi fshatin KETA pa KETA sepse: pasi ra Xibri, si kështjellarë që ishin, ata shkuan përsëri aty ku ishin kështjellat: në Guri Bardhë, Valikardhë (Bulqiza e sotme), Crrujë (sot në Shegun, Klos) dhe në territore të Maqedonisë shqiptare . Sot, në Gostivar dhe në dy fshatra të rrethinave gjejme vendbanimet Cajle dhe Tuçan i madh. Këtu kemi KETA dhe Kita, pra identifikojmë “popolo Chetta” të fisit shqiptar nga Tirana në Gostivar, ashtu siç e shkruante para 4 shekujsh Nikollë KETA tek Tesaro (1777). Nikollë KETA ishte i biri i Kolës dhe e informonte Princeshën KATERINE se të parët e tij ishin “arbër i pastër Maqedonie”. Nga ekspeditat e sotme në terren, identifikohet plotësisht lokalizimi i “popolo Chetta” që fillon nga Tirana e Vogël tek Ura e Brarit (Rruga Myslim KETA) dhe kjo pjesë vlerësohej si “gonxhja e Arbërisë”. Befasitë që ofron kalaja e Xibrit, Kënga e Sprasme e Balës, kryevepra e Nikollë KETES dhe ditari në dorëshkrim (original) i Mulla Baki KETES, të tria në kohë te ndryshme , qysh në perudhë ilire e deri në ditët tona, të vërtetuara në terren, mund të jenë pjesë e të panjohurave që do prezantohen në këtë Guide Turistike.

Dilaver Kurti na informon se kalaja e Xibrit emërtohej Ketron sepse ngrihej afër fshatit KETA dhe daton në kohë në periudhën e parë të hekurit. Lulëzimin e saj e jep në shek.IVp.e.s dhe rindërtimin e saj në kohë të Justinianit. Fundin e saj e daton me mundjen e Gjon Kastriotit prej turqëve. Selami Islami, pasi kundërshton datimin në kohë, jep të dhëna për pozicionin e saj në një sipërfaqen 4 ha. Islami e ndan kalanë e Epërme nga sheshi i kalasë dhe jep pjesën e qytezës në një mjedis natyrorë tepër të mbrojtur. Po ky autor jep edhe teknikën e ndërtimit, popullsinë që strehohej në kala dhe qytezë dhe rezistencën që kjo kala bënte ndaj pushtuesëve maqedonë dhe romake. Banorët e vendbanimeve malore, në kohë paqe zbrisnin në lartësi më të ulta deri në fushë Tiranë ku kishin mashnat ( kullotat) dhe arat e bukës. Sot në Bulqizë kemi të identifikuar 4 fise KETA, Gjergj Mirëshpinë, Plakun Balë, Nikën, Petën, të Bukurën e Lalës, etj.që përmenden edhe tek Kënga e sprasme e Balës, edhe tek Barleti, edhe tek Nikollë KETA edhe tek studimet e Shaban Sinanit. Mbi të gjithë është kryezbulimi i Mandalasë dhe Altimarit. Janë këta autorë që na informojnë: “Këngën e Sprasme të Balës nuk e shkroi as Dara plaku, as i riu , por vetë Plaku Balë, që nuk është personazh i sajuar por bashkëkluftëtarë i Skënderbeut. Madje, Shaban Sinani shkon më tej: Kënga e Sprasme e Bales duhet lexuar edhe historikisht!

Ky artikull është shkruar për gazetën Rruga e Arbërit.