Rruga e Arbërit afron Tiranën me Shkupin për 100 kilometra

1059
Në foto: Gjurmët e Rrugës së Arbërit, fshati Guri i Bardhë (Klos), në afërsi të Urës së Vashës

Në Maqedoni ka filluar seriozisht të diskutohet për pjesën tjetër të Rrugës së Arbërit, që duhet në fund të lidhet me Korridorin e 8-të, respektivisht me autostradën Kërçovë-Ohër dhe Gostivar- Shkup.

Ndërkohë, ndërtimi i autostradës Ohër-Kërçovë por edhe i pjesës tjetër të Rrugës së Arbërit në drejtimin Tiranë-Dibër dhe Dibër-Kërçovë pritet të favorizojë edhe ndërtimin e autostradës Gostivar-Kërçovë.

Nga Ministria e Transportit në Maqedoni, raportojnë për gazetën KOHA se ndërtimi i autostradës Kërçovë-Gostivar është në prioritet të qeverisë maqedonase. Me vazhdimin e Rrugës së Arbërit dhe kyçjen në autostradën Kërçovë -Gostivar do të mundësohet lidhja e Dibrës me Shkupin.

Rruga e Arbërit shkurton 100 km distancën Tiranë-Shkup

Projekti i Rrugës së Arbërit në Shqipëri është zvarritur për disa vite, për shkak të intensitetit të punimeve dhe mungesës së fondeve. Aktualisht në Shqipëri ka përfunduar një pjesë e këtij aksi të rëndësishëm që shkurton distancën jo vetëm për në Lindje të Shqipërisë, por dhe me afro 100 kilometra distancën Tiranë- Shkup.

Rruga e Arbërit, duhet të lidhë Detin Adriatik dhe Detin e Zi. Kështu deklaroi ministri i transportit të Shqipërisë Edmond Haxhinasto, gjatë inspektimit të punimeve që po bëhen në urën e Matit dhe tunelin e Qafë Buallit në Bulqizë në vitin 2015.

“Ndërtimi i kësaj rruge që do të shkurtojë distancën me Tiranën për 100 kilometra. Problem kyç deri më sot për punimet edhe 27 kilometrave të mbetura ka qene ndërtimi urës së Matit dhe tunelin e Qafë Buallit në Bulqizë me distancë prej 3 kilometra e gjysmë, që është përfunduar.

Në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike është njoftuar se ka nisur procedurat për finalizimin e projektit. Ministria e Transporteve ka çelur tenderin për kompanitë e interesuara për ndërtimin e ‘Rrugës së Arbrit”. Tenderi është çelur në datën 10 Gusht, ora 08:00 dhe ofertat priten deri në datën 2 tetor 2017.

Fondi limit i përcaktuar nga ministria është 33,600,000,000.00 Lekë. Më poshtë njoftimi i app.gov.al për çeljen e procedurës së prokurimit.

Ofertat për këtë projekt me rëndësi madhorë do të mund të paraqiten deri në datën 2 Tetor, ndërsa fondi i vënë në dispozicion përmes projektit “1 Miliard Euro” është 33.6 miliardë lekë, ose rreth 254 milionë euro. Si pjesë e këtij projekti, pagesa për kompaninë fituese do të bëhet me “këste” në 10 vitet e ardhshme, ku kësti i parë do të jepet jo më parë se dy vjet pas miratimit të kontratës PPP.

Fituesi do të përzgjidhet në bazë të 5 kritereve, ku përfshihet:

  • Propozimi teknik për ndërtimin e rrugës dhe  mirëmbajtjes (45 pikë);
  • Ndikimi mjedisor (10 pikë);
  • Ndikimi social (10 pikë);
  • Afati i përfundimit të punimeve (10 pikë);
  • Oferta financiare (25 pikë).

Megjithatë, përparësi në këtë projekt do të ketë kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila ka paraqitur ofertën për të ndërtuar këtë rrugë në Nëntor të vitit të kaluar. Këshilli i Ministrave e ka shpërblyer këtë kompani me një bonus prej 10% të pikëve.

Edhe fondi maksimal për këtë projekt është i bazuar në gjetjet e kësaj kompanie, e cila propozonte ta ndërtonte rrugën me një kosto prej pikërisht 33.6 miliardë lekë.

Kompania e cila do të shpallet fituese për këtë vepër do të nënshkruajë një kontratë 13 vjeçare me qeverinë, kohë pas së cilës Rruga e Arbërit i kalon në administrim shtetit.

Rruga e Arbërit konsiderohet aktualisht e përfunduar plotësisht në 20.12 kilometra të saj, me 15.175 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.372 km të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues.

Gjatësia e aksit që nis në Tiranë dhe përfundon në Bllatë, sipas studimit të fizibilitetit pritet të jetë afërsisht 73.5 km, çka nënkupton se duhen projektuar edhe 11.8 kilometra rrugë.

/bulqizaime.al/