Rritja e kurbës së COVID-19, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për vaksinim

738
Një punonjëse e sistemit shëndetësor në Shqipëri, tregon një flakon me vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar nga Pfizer & BioNTech. Foto: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në dy javët ë fundit rastet aktive me COVID-19 janë trefishtuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë 24 orët e fundit janë shënuar 284 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e rasteve aktive nga 421 në 1 gusht në 1524.

Trendi në rritje i kurbës së infektimeve me koronavirusin e ri, e ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë t’i përforcojë thirrjet e saj drejtuar popullatës për t’u vaksinuar.

“Vaksinimi ndaj COVID19 shmang format e rënda të sëmundjes, ul hospitalizimet dhe mbron shëndetin tuaj,” theksoi Mininistrja Ogerta Manastirliu në një mesazh në mediat sociale të martën.

Ministrja shtoi se vaksinimi gjatë muajit gusht është i hapur për të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç dhe dozat mund të administrohen pranë qendrave shëndetësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i fushatës së vaksinimit kundër COVID-19 në janar janë administruar 1.28 miliona doza vaksine.

Nga fillimi pandemisë deri të enjten me 12 gusht, në Shqipëri janë infektuar 134,487 persona me COVID-19 dhe 2460 pacientë kanë humbur jetën. Në Spitalin Infektiv aktualisht po marrin trajtim spitalor të specializuar 34 pacientë, ndërkohë në 24 orët e fundit nuk ka pasur asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.