Rezervuari i fshatit Shtushe në rrezik për t’u shkatërruar, banorët thirrje për ta rehabilituar

221
Rezervuari i fshatit Shtushe. Foto: Bulqizaime.al

Rezervuari i fshatit Shtushe në Shupenzë, rrezikon të dalë jashtë funksionit si pasojë e mos ndërhyrjes për pastrimin dhe forcimin e digës. Ndërtuar në vitin 1968, ky rezervuar ju shërben për vaditjen e afro 200 dynym tokë bujqësore në këtë zonë, kryesisht të mbjella me misër dhe jonxhë. Rehabilitimi i fundit në këtë rezervuar që prej vënies në funksion nga kooperativat bujqësore para viteve ’90-të është bërë në vitin 2000.

Banorët tregojnë se ky është rezervuari i fundit akoma funksional në këtë zonë, dhe nëse do të braktiset dhe nuk do të rehabilitohet, do të shkatërrohet, duke lënë në të thatë edhe ato pak toka bujqësore që punohen.

Nëpërmjet një kërkesë për ndihmë financiare drejtuar Këshillit Bashkiak, Bashkia Bulqizë kërkoi afro 2 milionë lekë të reja financim emergjent për tenderimin e punimeve për ndërhyrjen në këtë rezervuar. Referuar relacionit teknik, thuhet se kërkohet ndërhyrje me gërmim, mbushje dhe ngjashje për stabilizimin e kurorës së rezervuarit, por gjithashtu edhe një sërë punimesh të tjera.

Kjo kërkesë u hodh poshtë nga këshilli. Anëtarët e opozitës e shikuan si jo të domosdoshme dhënien e këtij fondit, pasi ndërhyrja mund të bëhet nga vetë mjetet e bashkisë. Sipas tyre, me eskavatorin dhe mjetet e transportit që ka bashkia, për pak ditë mund ti jepet zgjidhje këtij problemi, pa qenë nevoja të përdoret fondi i emergjencave civile për tenderimin e këtyre punimeve.

Kliko këtu për të parë videon