Reporterë pa Kufij: Liria e medias është përkeqësuar në të gjithë botën gjatë pandemisë

404

Reporterë pa Kufij publikoi ​​raportin vjetor të Indeksit të Lirisë së Shtypit të martën me një paralajmërim se liria e medias është përkeqësuar në të gjithë botën gjatë pandemisë së koronavirusit, me qeveritë që po përdorin krizën për të pasur më shumë kontroll mbi shtypin.

Në vitin 2020, kishte një “përkeqësim dramatik të qasjes së njerëzve në informacion dhe një rritje të pengesave për mbulimin e lajmeve”, thotë raporti i RSF.

“Pandemia e koronavirusit është përdorur si bazë për të bllokuar qasjen e gazetarëve në burimet e informacionit dhe raportimin në terren”, shton raporti.

Situata u përkeqësua ndjeshëm në disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore në vitin 2020, thotë raporti, i cili rendit 180 vende në botë sipas nivelit të tyre të lirisë së medias, duke vlerësuar pluralizmin e medias, pavarësinë nga qeveria, legjislacionin kombëtar dhe sa të sigurt janë gazetarët në secilin vend.

Në Hungari (e renditur në vendin 92 nga 180, duke rënë me tre pozicione nga renditja e RSF për vitin 2019), media e pavarur u sulmua në vitin 2020 nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban, e cila “vazhdoi të shtrijë hegjemoninë e saj mbi peizazhin e medias hungareze dhe të frymëzojë vendet e tjera evropiane si p.sh. Sllovenia dhe Polonia”, sipas raportit.

Legjislacioni i miratuar për të kriminalizuar dezinformimin në lidhje me pandeminë “kërcënoi gazetarët me ndjekje penale nën akuzat e shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe për bllokim të përpjekjeve të qeverisë kundër pandemisë” dhe vendosi kufizime shtesë në qasjen e tyre tashmë të kufizuar në informacionin e mbajtur nga shteti”.

Polonia (e cila ra me dy pozicione dhe u rendit në vendin 64), Sllovenia (katër pozicione më poshtë, duke u renditur në vendin e 36-të), Çekia (në të njëjtin pozicion në vendin e 40-të) dhe Sllovakia (e cila ra me dy pozicione dhe u rendit në vendin e 35-të) pësuan disa nga të njëjtat probleme.

“Pas konsolidimit të kontrollit të saj ndaj mediave shtetërore, qeveria në Poloni po ndjek “ripolonizimin” e saj të mediave në pronësi private me qëllimin e deklaruar për të ndikuar në politikat e tyre editoriale ose, me fjalë të tjera, në censurimin e tyre,” thuhet në raport.

Situata është ndoshta më e keqe në Ballkan, sipas raportit.

“Shkeljet e ndryshme të lirisë së shtypit kanë kontribuar në një përkeqësim të ndjeshëm të treguesit të Abuzimeve në BE/Ballkan. Aktet e dhunës janë dyfishuar në rajon, krahasuar me një përkeqësim prej 17% në të gjithë botën”, thotë ai.

Në Serbi (e renditur njësoj si një vit më parë, në vendin e 93-të), administrata e presidentit Aleksandër Vuçiç po jep një shembull për vendet e tjera në rajon me rritjen e kontrollit të qeverisë ndaj mediave, sulmet e përditshme verbale ndaj gazetarëve dhe legjislacionin për të kufizuar lirinë e shtypit gjatë pandemisë.

“Serbia është një vend me institucione të dobëta që është pre e lajmeve të rreme të përhapura nga mediat e mbështetura nga qeveria, një vend ku gazetarët i nënshtrohen sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elitat në pushtet dhe mediat pro-qeveritare”, thotë raporti.

“Qeveria përdori krizën e koronavirusit për të miratuar legjislacionin drakonian – më vonë u shfuqizuan – sipas të cilit gazetarja Ana Laliç u mbajnë për një natë në një qeli në prill 2020 pasi u arrestua në shtëpinë e saj për një raportin në lidhje me një spital lokal”, shton ai.

Qeveria e Shqipërisë (e renditur një pozicion më lart, në vendin e 83-të) mori kontrollin e dy kanaleve televizive të pavarura me arsyetimin se pronari i tyre ishte akuzuar për trafik droge, ndërsa në Malin e Zi (një pozicion më lart, në vendin e 104-të), gazetari investigativ Jovo Martinoviç ka vazhduar të ndiqet penalisht nën akuza të trilluara.

Në Bosnjë (e renditur si një vit më parë, në vendin e 58-të) dhe Kosovë (tetë vende më poshtë, në vendin e 78-të), media mbetet e ndarë përgjatë vijave etnike, si shumica e institucioneve të tjera në të dy vendet. Raporti vëren se diskursi nacionalist u rrit në vitin 2020, duke krijuar një mjedis armiqësor për lirinë e shtypit.

Në Kroaci (tre vende më lartë duke u renditur e 56-ta), gazetarët që hetojnë korrupsionin, krimin e organizuar ose krimet e luftës shpesh u nënshtrohen fushatave të ngacmimit, sipas raportit.

RSF vë në dukje se në Maqedoninë e Veriut (e renditur dy vende më lart, në vendin e 90-të), zyrtarë të lartë qeveritarë vazhduan të kërcënojnë dhe ofendojnë mediat, ndërsa ngacmimi kibernetik dhe sulmet verbale kundër gazetarëve u rritën në rrjetet sociale.

 Bullgari (e cila ra me një pozicion dhe u rendit në atë të 112-tin), “situata e mediave është shumë shqetësuese sepse askush nuk është i interesuar të hetojë ose të dënojë dhunën ndaj gazetarëve”, thotë raporti.

Në Rumani (në të njëjtin pozicion si një vit më parë, të 48-tin) dhe Moldavi (dy pozicione më lart se një vit më parë, në të 89-tin), qasja në informacion mbetet një problem i madh për gazetarët, veçanërisht gjatë pandemisë.

Turqia (një pozicion më lart se një vit më parë, në të 153-tin) ka një nga rekordet më të këqija për lirinë e shtypit jo vetëm në Evropë, por në botë.

“Të gjitha mjetet e mundshme përdoren nga qeveria Turke për të eliminuar pluralizmin”, thotë raporti.

Ai vëren se qeveria kontrollon 90 për qind të mediave kombëtare dhe përdor censurë të ashpër dhe praktika diskriminuese në mënyrë që të margjinalizojë dhe kriminalizojë kritikët e saj në media.